Pas rënies së protestës, grupi i Hapiqistave është fokusuar te data 23 korrik, që do të jetë seancë parlamentare. Plani është që atë ditë, përveç vezëve, të përdoren edhe mjete të tjera sulmuese ndaj deputetëve.
Për këtë, grupi i Hapiqistave kërkoi konsultime informale me Mulin.
– Ne nuk e shesim kollaj patentën e protestave, – tha Muli. – Sa protesta keni bërë ju këto dy muaj, unë i kam bërë rregullisht çdo vit për 30 vjet.
– Do bëjmë pazar, – i thanë hapiqistat. – Nuk do qëllojmë deputetët e PD-së, vetëm ata të PS-së.
– Kjo nuk mjafton, – tha Muli. – Duhet të bëni autokritikë që keni sharë Doktorin në protesta. E keni thënë “Berisha në burg”.
– Të japim fjalën që në datë 23 nuk e themi, – i tha kryetari i Hapiqistave. – Vetëm na jep ndonjë gjë shtesë.
– Mendoj që, përveç vezëve, duhet të përdorni miell, – tha Muli. – Paketojeni në qese të vogla dhe hidhuani në kokë deputetëve. Pastaj u hidhni edhe vezën nga pas dhe ajo bëhet si llaç.
– Po sikur ta përziejmë më parë bashkë? – i tha hapiqisti kryesor.
– Jo, se ashtu nuk i përhapet, – tha Muli. – Duhet që t’i zbardhë mielli, t’i zverdhë veza dhe në fund ta nxini me ndonjë goditje me molotov.
– Na jep një grup ekspertësh, – i tha hapiqisti.
– Fillimisht po ju jap idenë, – tha Muli. – Pastaj të shikojmë si të ecë bashkëpunimi.
– Kemi dhe një problem, – i tha hapiqisti Mulit. – Nuk i njohim shumicën e deputetëve dhe ka mundësi t’i biem padashje ndonjë deputeti të PD-së se na duket si i PS-së.
– Do ta zgjidhim, – tha Muli. – Do t’u them gjithë deputetëve që të hyjnë me dy gishta lart në Parlament, që ta kuptoni.
– Mos na e marrin vesh edhe këta të PS-së dhe hyjnë edhe këta me gishtat lart, – i tha hapiqisti.
– Jo, jo. Ata s’e bëjnë kurrë atë, – tha Muli. – Ata më kollaj ngrenë duart lart se gishtat lart.
– Qenka si ne, – tha hapiqisti. – Dhe ne më kollaj ngremë dy këmbët lart se dy gishtat.

