HomeBota

Në sheshin e Teheranit mbështetësit e regjimit! 2 fytyrat e një vendi të përçarë! Por vetëm 20% e popullsisë mbështet ajatollahët

Në sheshin e Teheranit mbështetësit e regjimit! 2 fytyrat e një vendi të përçarë! Por vetëm 20% e popullsisë mbështet ajatollahët

Rrahin gjoksin, godasin kokën dhe fytyrën në shenjë zie, me sytë e përlotur drejtuar nga qielli ndërsa lutjet shkrihen në një vajtim koral. Gra të mbështjella me çadorë të zinj deri në këmbë, e kush nuk qan mban një fytyrë të vrarë nga dhimbja.

Të dielën në mëngjes, sheshi Enghelab — Sheshi i Revolucionit, kryqëzim simbolik i regjimit me funeralet e tij shtetërore — mbushet me mijëra besnikë që kanë ardhur për të përkujtuar Ali Khamenei, Udhëheqësin Suprem të vrarë nga bombat e Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu. Dronët gumëzhijnë lart mbi turmën që thërret “Jemi me ajatollahët”, ndërsa kamerat e televizionit shtetëror — sy i stërvitur i propagandës — transmetojnë pamje në përsëritje për t’i treguar botës: “Shikoni sa shumë jemi”. Kjo dallgë e zezë turbanësh dhe vajtimesh që betohet për mbështetje të përjetshme ndaj teokracisë është një fytyrë e Iranit, por jo ajo mbizotëruese.

Kush e mbështet regjimin

Sipas ekspertëve, më pak se 20% e popullsisë e mbështet vërtet regjimin, dhe mes tyre ka nga ata që përfitojnë prej tij, si anëtarët e Gardës Revolucionare me familjet e tyre, apo burokratët shtetërorë në listëpagesë. Nga Irani rrëfehet se shpesh është vetë sistemi që paguan figurantë, që sjell autobusë të tërë për të fryrë paradat dhe sheshet, për të simuluar një konsensus që po zvogëlohet gjithnjë e më shumë.

Gëzim i ndaluar

Vetëm mbrëmjen e mëparshme, fare pranë atij sheshi, një Iran tjetër shpërthente në një gëzim të ndaluar. Të rinj, gra me kokë zbuluar, familje të tëra u mblodhën në rrugicat e kryeqytetit dhe në dhjetëra qytete të tjera për të ngritur dolli për vdekjen e Khameneit, njeriut që për 36 vjet e ka mbajtur vendin të shtrënguar mes censurës, litarëve të varjeve dhe ëndrrave bërthamore. Parulla kundër diktaturës — “Kurrë më mullahë!” — muzikë rap nga altoparlantët dhe fishekzjarre mbushën një natë lufte që, për disa orë, u kthye në festë. Me mijëra sfiduan shtetrrethimin, sirenat dhe snajperët për të shpallur fundin e një epoke, secili me plagën e vet: burg, tortura, padrejtësi të përditshme. Ata burra dhe gra janë të njëjtët që në dhjetor dhe janar pushtuan rrugët në mbarë Iranin duke kërkuar fundin e Republikës Islamike, duke paguar me mijëra jetë çmimin e një ëndrre.

Dy sheshe në llogore, njëri kundër tjetrit. Nga njëra anë zia e besnikëve, e fryrë nga propaganda; nga ana tjetër revolta vallëzuese e atyre që e quajnë Khamenein xhelat.

Kush kërkon fundin e diktaturës

Përçarja është e thellë; vala e protestave 2025–2026 ishte prova e saj. Nuk ka të dhëna të pastra për të matur ndarjet që përshkojnë vendin: të gjithë numrat që dalin janë ata të regjimit, të manipuluar për të mbajtur në këmbë një narrativë në rrëshqitje. Por ka një shifër që ndihmon për të kuptuar diçka më shumë: ajo e zgjedhjeve të fundit parlamentare të marsit 2024. Pjesëmarrja arriti në 41% (25 milionë nga 61 milionë votues me të drejtë vote), minimum historik për Republikën Islamike. Në Teheran u fol për vetëm 11%.

Saied Golkar, ekspert dhe anëtar i organizatës United Against Nuclear Iran, shpjegon se nga ai 40% që shkoi të votonte, një pjesë e konsiderueshme u detyrua nga rrjeti i spiunëve të mullahëve për të shpëtuar vendin e punës. Ai thotë: “Mes 70 dhe 80% e popullsisë dëshiron fundin e diktaturës. E pamë me lëvizjen ‘Grua, Jetë, Liri’, dhe e pamë edhe në fillim të vitit”. Edhe mes besimtarëve fetarë, ka nga ata që po u kthejnë shpinën ajatollahëve./ Corriere della Sera