HomeHumor

Muli i tronditur nga mbrojtja që OJQ i bëjnë Gazit përballë Zengjines

Muli i tronditur nga mbrojtja që OJQ i bëjnë Gazit përballë Zengjines

17 organizata me objekt barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut kanë mbrojtur sot Gaz Bardhin nga Zengjineja. Gjuha e përdorur në rezolutën e përbashkët është e paqartë se cilat nga sulmet e Zengjinesë kanë cenuar Gazin, por në tërësi rezoluta kërkon që Zengjineja të mos këshillohet por të dënohet.

— Si e shpjegon ti këtë deklaratë — i tha Muli Lelos. — Është hera e parë që në PD një burrë mbrohet nga një grua me gjithë këto OJQ. Zakonisht Doktorin kush nuk e ka sulmuar dhe nuk i ka dalë njeri në krah, edhe kur e kanë qëlluar me bomba dhe jo më me deklarata grash.

— Doktori mbrohet vetë — tha Lelo — s’ka nevojë ta mbrojnë OJQ. Në rastin e Gazit është situatë delikate se nuk mbrohet dot nga gratë. Po të ishte Zengjineja burrë pastaj qe më e lehtë.

— Po nuk e kuptoj — tha Muli — çfarë i ka thënë tamam, se nuk e thonë. Dmth cila pjesë e sulmeve të Zengjinesë është fyese për Gazin?

— Mendoj se është ajo pjesa kur ajo i thotë “O Gaz o shpirti im”, apo kur thotë “Më raft pika mua o Gazo”, gjëra të tilla.

— Po ça ka për sulm këtu?

— Po Gazi mund të jetë ankuar që e ka bezdi t’i thonë gratë gjëra të tilla dhe e ka konsideruar dhunë seksuale mbi të.

— Po jo mo burrë, s’ka mundësi. Doktori u ka thënë “kurvë”, “shtrigë”, “konkubinë”, i ka përqeshur duke u ndryshuar emrat, çfarë s’u ka thënë dhe s’ka reaguar njeri.

— Epo këto gratë socialiste nuk e quajnë dhunë kur i sulmojnë burrat. Janë mazoiste. Kurse Gazi është ndryshe.

— Kam dyshimet e mia se këto organizata janë të gjitha të themeluara nga Sorosi — tha Muli — dhe e bëjnë këtë gjë për të tallur PD, për të thënë që këta janë katandisur të kenë frikë dhe nga Zengjineja.

— Nuk besoj — tha Lelo. — E kanë të sinqertë. Duhet të jesh në pozitën e tyre dhe ta provosh në shpinë të të përkëdhelë Zengjineja si ndihesh. Mos i paragjyko.

— Nuk e di, por më duket komplot — tha Muli. — Ky është fundi i PD. Ne themi do shqyejmë Edi Ramën, do ta marrim zvarrë, na del kryetari i grupit thotë po më shqyen Zengjineja. Fundi i botës.