HomeDebat

Çfarë nënkupton doktrina e re bërthamore e Francës për Evropën?

Çfarë nënkupton doktrina e re bërthamore e Francës për Evropën?

Nga The Economist

Emmanuel Macron do të ndërtojë më shumë koka bërthamore dhe do të përfshijë edhe aleatët

Ishte një demonstrim teatral i fuqisë kombëtare. I shoqëruar nga avionë luftarakë, më 2 mars Emmanuel Macron fluturoi drejt bazës shumë të siguruar detare në Île Longue, në Bretanjë, dhe mbajti një fjalim përpara një nëndetëseje që mban raketa të armatosura me koka bërthamore. Ngjarja nuk ishte vetëm për efektin vizual. Në një ndryshim të dukshëm të doktrinës bërthamore të Francës, presidenti njoftoi se Franca do të rrisë rezervat e saj bërthamore. Ai zbuloi gjithashtu një partneritet të ri me shtatë vende evropiane pa armë bërthamore, i cili synon që fuqia parandaluese e Francës të shërbejë edhe për mbrojtjen e aleatëve të saj më të afërt.

Vendimi i Macron për të shtuar arsenalin bërthamor ishte surpriza e parë. Franca aktualisht ka rreth 290 koka bërthamore, pak më shumë se Britania – fuqia tjetër bërthamore e Evropës Perëndimore – por shumë më pak se stoku prej rreth 3 700 kokash bërthamore që zotëron Amerika. Tradicionalisht, Franca i është përmbajtur parimit të quajtur “mjaftueshmëri e rreptë”: ideja se vendit i duhen vetëm aq armë sa për të shkaktuar dëme të paimagjinueshme në rast sulmi. Shtimi i arsenalit nuk do të thotë, theksoi Macron, se Franca po hyn në një garë armatimi. Por ai dëshiron që çdo kundërshtar ta dijë se një sulm ndaj Francës do të sillte një kundërpërgjigje “nga e cila nuk do të rikuperohej”. Që tani e tutje, për të mbajtur në pasiguri kundërshtarët, Franca nuk do të zbulojë më numrin e saktë të kokave bërthamore që zotëron.

Njoftimi i dytë ishte një doktrinë e re që Macron e quajti “parandalim përpara” (forward deterrence). Kjo përfshin një partneritet me Belgjikën, Danimarkën, Gjermaninë, Greqinë, Holandën, Poloninë dhe Suedinë, që do të funksionojë në linja të ngjashme me bashkëpunimin e krijuar së fundmi mes Britanisë dhe Francës. Duke e përshkruar Gjermaninë si partnerin “kyç”, presidenti tha se bashkëpunimi më i ngushtë do të përfshijë stërvitje të përbashkëta me forcat ajrore franceze të armatosura me armë bërthamore, ku vendet e tjera do të kontribuojnë me forca konvencionale. Franca kryen stërvitje të tilla katër herë në vit. Kjo do të ngjajë me një skemë ekzistuese në NATO, ku disa aleatë ofrojnë fuqi ajrore konvencionale për të mbështetur sulmet bërthamore amerikane të lëshuara nga ajri. Herë pas here, kjo mund të nënkuptojë edhe vendosjen e avionëve francezë të armatosur me armë bërthamore në vende të tjera evropiane.

Megjithatë, nuk ka plane për vendosjen e përhershme të armëve bërthamore franceze në vende të tjera dhe as për një “garanci” të drejtpërdrejtë nga Franca. Por ky rrjet i ri marrëveshjesh, sipas një diplomati francez, synon t’u dërgojë kundërshtarëve një mesazh për solidaritetin evropian dhe të “ndërlikojë” llogaritjet e tyre strategjike. Edhe vende të tjera mund t’i bashkohen këtij partneriteti. Franca dhe Gjermania kanë krijuar gjithashtu një grup të përbashkët drejtues për parandalimin bërthamor, diçka që një vit më parë do të ishte e paimagjinueshme. Bruno Tertrais, ekspert i forcave bërthamore franceze, e quajti fjalimin e Macron “përditësimin më të rëndësishëm të politikës së parandalimit bërthamor francez në 30 vitet e fundit”.

Ky është një moment i rëndësishëm. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, “ombrella bërthamore” amerikane ka garantuar sigurinë e Evropës. Ndërkohë, që nga vitet 1970, Franca ka përfshirë në strategjinë e saj të sigurisë idenë se parandalimi i saj bërthamor ndihmon edhe në mbrojtjen e Evropës. Macron madje kishte propozuar në vitin 2020 bisedime të detajuara me vendet evropiane për ta forcuar këtë dimension. Por për sa kohë garancia amerikane dukej e fortë, kjo ide dukej e tepërt. Deri tani, Franca nuk kishte shpjeguar qartë se çfarë nënkuptonte kjo “dimension evropian”.

Macron theksoi se qëllimi nuk është të zëvendësohet garancia amerikane; marrëveshja e re synon të jetë një plotësim dhe një sigurim shtesë. Ai e bëri të qartë gjithashtu se Franca do të ruajë kontrollin e plotë mbi vendimin për të përdorur armët bërthamore, duke kundërshtuar akuzat e disa partive opozitare se ai do ta “ndante” këtë fuqi me të tjerët. Doktrina e re, sipas burimeve të brendshme, është përgatitur për 18 muaj. Një zyrtar francez tha se partneriteti nuk kërkon kontribute financiare nga vendet e tjera.

Shpesh, vendet evropiane kanë dyshuar se Franca harton strategji të mëdha për të promovuar industrinë e saj të mbrojtjes. Prandaj entuziazmi ndaj deklaratës së kësaj jave është domethënës. Claudia Major, nga German Marshall Fund në Berlin, e quajti bashkëpunimin franko-gjerman për parandalimin bërthamor “historik”. Ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në platformën X: “Po armatosemi së bashku me miqtë tanë që armiqtë të mos guxojnë kurrë të na sulmojnë”.

Kritikët thonë se as parandalimi bërthamor francez dhe as ai britanik nuk mund ta zëvendësojnë plotësisht garancinë amerikane në NATO. Për më tepër, nëse e djathta populiste e Tubimit Kombëtar do të vijë në pushtet në vitin 2027, mund të lindin pyetje të reja për angazhimin e Francës ndaj aleatëve evropianë. Megjithatë, në kohë të paparashikueshme, ndryshimi strategjik që Macron shpalli në bazën e nëndetëseve në Île Longue është domethënës. Doktrina e re franceze mund të forcojë sigurinë kolektive të Evropës në mënyra që deri para pak kohësh do të dukeshin joreale dhe të panevojshme.