Çështja e Aeroportit të Vlorës rrezikon të përfundojë në arbritrazh. Pas njoftimit të qeverisë se kanë nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare të Aeroportit pasi u shkelën afatet për mbylljen e punimeve, pronari i njërës prej dy kompanive që do ta ndërtonte atë, Behgjet Pacolli i MABCO njofton se ka marrë në duar shkresën zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës, por paralajmëron se se do ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit.
“Shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale”, thotë ai.
Ai akuzon institucionet për qëndrim paradoksal, pasi thotë se fillimisht penguan përfundimin e projektit dhe tani po përdorin pikërisht këto vonesa si argument për zgjidhjen e kontratë
“Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit”, shprehet Pacolli.
Faturë të rëndë në arbitrazh, paralajmëroi edhe opozita, përmes kreut të saj Sali Berishës.
“Po prishin një kontratë për të cilën garantojnë qytetarët e këtij vendi se do gjobiten më së paku 500 milionë euro”, tha Berisha.
Puna në Aeroportin e Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021, dhe ishte parashikuar të përfundonte në muajin shkurt të vitit 2026. Pasi kjo nuk u arrit, kontrata parashikonte edhe një afat 90 ditor për përfundimin e punimeve.
Mosmarrëveshjeve e përkthyera në beteja të shumta ligjore mes dy kompanive ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit dhe ‘2A Group’ e Valon Ademit, detyruan qeverinë që në fund të muajit maj të vendosë një ultimatum 30 ditor për zgjidhjen e konflikteve.
Në lëvizjen e fundit, Ministria e Infrastrukturës tashmë nisi procedurat e anulimit të kontratës koncesionare, duke synuar që administrimin e Aeroportit të Vlorës ta marrë në dorë shteti, ndonëse kjo do të kërkonte për procedura të shumta ligjore dhe një kohë të gjatë për t’u realizuar. Për këtë vendim, ende nuk ka një reagim nga kompania 2A Group.

