Pjesa e borxhit të brendshëm e mbajtur nga individët pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2025.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të vitit të kaluar, individët zotëronin 18.53% të instrumenteve të borxhit të brendshëm, nga 19.8% në fund të vitit 2024. Kjo shumë përfshin investimet me pjesëmarrje direkte dhe investimet e kryera nëpërmjet bankave tregtare.
Pjesa e portofolit të borxhit të brendshëm e mbajtur nga individët pati arritur nivelin më të lartë historik prej 20.4% në vitin 2023. Kjo u nxit nga rritja e shpejtë e yield-eve që pasoi valën inflacioniste në vitit 2022. Por, rënia e yield-eve gjatë dy viteve të fundit është reflektuar menjëherë në zbehjen e interesit të individëve për të investuar në titujt e borxhit qeveritar.
Kjo është e dukshme edhe në ecurinë e investimeve në emetimet e reja, të kryera gjatë 2025.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2025, individët investuan 19.3 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 5857, me një rënie vjetore prej 24.8%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.
Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 14.9 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 16.6%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 4.4 miliardë lekë, 17% më pak krahasuar me 9-mujorin 2024.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të vitit 2025 ra në 4.23%, nga 4.56% që kishte qenë në fund të vitit 2024. Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.35%, nga 4.65% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët të katër viteve të fundit
Yield-et e bonove dhe obligacioneve në përgjithësi kanë shfaqur një tendencë rënëse gjatë vitit 2025, duke ndjekur uljet e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe falë gjendjes së mirë të likuiditetit në treg dhe kërkesës së lartë nga investitorët.
Yield-et e bonove të thesarit madje qëndruan në përgjithësi poshtë normës bazë të interesit, ndërsa yield-et e obligacioneve afatgjata prekën në gjysmën e parë të 2025 edhe nivelet më të ulëta historike. Përmirësimi i vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara vitin e kaluar ka ndikuar në hyrjen për herë të parë në tregun e titujve të qeverisë në Lekë edhe të investitorëve nga jashtë vendit. Në muajin mars 2025, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme./ E.Shehu/monitor.al

