Pasi u duk se vendi më në fund ra disi në qetësi pas disa ditësh betejë me flakët, Kruja u përball me një situatë të vështirë nga zjarret. Një vatër e shkaktuar nga dora e njeriut mori përmasa të mëdha, duke iu afruar zonave të banuara dhe duke rrezikuar shtëpi e biznese.
Qindra banorë janë detyruar të lënë shtëpitë në zonat e Barabit dhe Llubanit ku situata ishte edhe më problematike. Flakët kërcënuan edhe Spitalin e Krujës, pasi një nga vatrat u afrua vetëm rreth 50 metra nga qendra spitalore. Për shkak të rrezikut, pacientët u evakuuan menjëherë dhe u dërguan drejt Tiranës.
Në 5 lagje u ndërprere edhe energjia elektrike. Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, ka siguruar strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar. Flakët u arritën të vihen nën kontroll vetëm pas disa orësh, me dy vatra që raportohet të jenë ende aktive në Barabit dhe Abazë.
Ndërkohë, në pranga është vënë autori i dyshuar i zjarrvënies, Qemal Berhami. Ai kishte ndezur barishtet pranë shtëpisë së tij, por zjarri doli jashtë kontrollit dhe u përhap, duke rrezikuar banorët e Krujës. Terreni i thepisur vështirësoi punën e zjarrfikësve, ndërsa gjatë ditës për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe 3 helikopterë. Në mbrëmje, ndërhyrja nga ajri u ndërpre.
Zjarret u rikthyen pasdite edhe në Mallakastër, ku për disa ditë flakët dogjën sipërfaqe të tëra me pyje. Flakët u riaktivizuan në Panahor, kurse në fshatin Koilaç u shfaqur një vatër e re. Të ndihmuara nga era, flakët u përhapën me shpejtësi duke djegur sipërfaqe të tëra me bimësi dhe po u afroheshin banesave. Policia ndërhyri menjëherë për evakuimin e disa familjeve. Shërbimet zjarrfikëse nga toka dhe ndërhyrja nga ajri e një avioni zjarrfikës izoluan flakët duke shmangën rrezikun për zonat e banuara.

