HomeBlog

Protesta forcon portretin e lodhur të Berishës dhe radhët e shumicës në pushtet

Protesta forcon portretin e lodhur të Berishës dhe radhët e shumicës në pushtet

Nga Mero Baze

Më shumë se sa Berisha, për të motivuar mbajtjen e rregullt periodike të protestave të opozitës duhet të mendojë Edi Rama. Protestat e Berishës dhe sidomos dhuna primitive ndaj Tiranës, bizneseve, qendrave kulturore dhe gjithçkaje që u del para, duke i talebanizuar ato, janë një dhuratë e shtrenjtë në ditët e vështira të qeverisë.

Por mbi të gjitha janë i vetmi karburant politik për qeverinë.

Në këtë pikë, protesta e nesërme është më pak e dobishme se të tjerat, se ka ulur stekën nga Rama tek Balluku. Kur protesta të nisë, beteja për Ballukun ka përfunduar duke mos iu dorëzuar kërkesë për t’i dhënë leje gjykatës ta arrestojë, dhe protesta është një lloj celebrimi i asaj që ndodh brenda.

Duke qenë se mbrojtja ndaj politikanëve dhe zyrtarëve nga paraburgimi po institucionalizohet si qëndrim i shumicës në pushtet dhe jo më si rast i veçantë, protesta me motiv Ballukun është një shërbim i mirë për të, pasi i forcon stofin politik.

E vetmja rrugë që qeveria të mos ketë firo nga kuajt e betejës që po ia ha SPAK-u është pikërisht përballja me protestën e vazhdueshme të Berishës sipas një grafiku që ai e cakton në fund të çdo proteste.

Ditën kur Berisha të mos lajmërojë protestën e radhës do të jetë ditë e zezë për qeverinë, pasi pas kësaj qytetarët mund të merren me të. Derisa Berisha i siguron komoditetin qeverisë që çdo dhjetë ditë të hedhë molotov mbi ndonjë dyqan, mbi rezidenca qeveritare, qendra arti apo rrugëve pa adresë, puna për ta është mirë.

Por edhe për Berishën është po aq mirë. Nëse ai nuk bën ato protesta, nëse ai nuk u bën gjimnastikë njerëzve të vet që të kuptojë se sa vetë i kanë mbetur, ai nuk ka fuqi t’u imponohet më faktorëve të tjerë në PD që e kanë bezdi atë që po ndodh, por nuk kanë çfarë të bëjnë. Përveç Flamurit dhe Klevisit që edhe mund të besojnë që qeveria rrëzohet një herë në dhjetë ditë e rilind përsëri, të tjerët e dinë që nuk ndodh asgjë përveç bezdisë që mund të kenë nga gazi lotsjellës dhe tymi i molotovit.

Kështu që protesta e datës 12 do të jetë e suksesshme. Sheshi ku do të zhvillohet para Kuvendit është i vogël dhe mbushet më lehtë dhe beteja e molotovëve do ndjekë rrugën e kundërt, nga parlamenti tek qeveria. Ky është ndryshimi nga protestat e tjera. Efekti është i njëjtë. Ai forcon portretin e lodhur të opozitës së Berishës dhe radhët e shumicës në pushtet. Më shumë se kaq nuk ka çfarë kërkon Edi Rama nga Berisha.