Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Ndërkohë, godina fillimisht është evakuuar për shkak të rrezikut.
Si pasojë e zjarrit, disa persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Sipas të dhënave paraprake, 7 persona janë transportuar në spital, ndërsa 3 prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Katër persona të tjerë ndodhen në sallën e operacionit.
Mësohet se gjashtë prej të dëmtuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa një tjetër është shtetas nga Rrësheni.
Nga personat e dëmtuar në zjarrin që përfshiu hotelin në Lungomare të Vlorës, gjashtë kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, nga të cilët pesë prej tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Dy persona janë nisur drejt ‘Traumës’, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të dëmtuarve po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, thotë shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.
Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen

