Një zbulim i rëndësishëm i Doktorit e kishte vënë sot Mulin në sedër. Doktori kishte zbuluar se “Besa” e Edi Ramës ishte shkruar me inteligjencë artificiale.
Muli mendoi se ky ishte rasti i duhur për ta zhvlerësuar “Besën” si dokument dhe për të nisur një fushatë të re kundër saj.
– Si mund ta organizojmë një fushatë kundër “Besës”? – e pyeti Lelon. – Doktori thotë se është bërë me inteligjencë artificiale.
– Nuk më duket ide e mirë, – tha Lelo. – Ne duhet ta sulmojmë si një ide të dështuar të Ramës. Po e sulmuam si produkt të inteligjencës artificiale, mund të na dalë ndonjë ekspert e të thotë se është shkruar mirë. Se inteligjenca artificiale mund të jetë më e saktë se Rama.
– Po Doktori e tha sikur kishte zbuluar ndonjë komplot, – tha Muli. – Madje kishte gjetur dhe fjalët që i dukeshin si të inteligjencës artificiale.
– Doktori i dallon menjëherë këto gjëra, – tha Lelo. – Çdo tekst që nuk e ka shkruar ai, i duket i dyshimtë. Sidomos kur ka fjali me kryefjalë, kallëzues dhe kuptim.
– Po atëherë, çfarë të bëjmë?
– Mund të themi se Rama nuk ka më ide të vetat dhe se tani ia prodhon inteligjenca artificiale. Kjo është në rregull. E sulmojmë për mungesë idesh, jo për përdorimin e inteligjencës artificiale.
– Pse, çfarë të keqe ka ta sulmojmë edhe për këtë?
– Sepse pastaj duhet të dënojmë gjithë PD-në, – tha Lelo. – E ke parë ti Klevisin, për shembull? Kur i bën statuset me inteligjencë artificiale, duket sikur ka qenë me dhjeta në shkollë. Po ta dënojmë inteligjencën artificiale, Klevisi duhet të kthehet te mendimet e veta. Pastaj do të kuptohet menjëherë diferenca.
– E vërtetë, – tha Muli.
– Nuk po flas pastaj për Inën, që kur shkruan me inteligjencë artificiale duket akademike. Apo për Belon, që duket si rektor universiteti. Madje edhe ata që nuk dinë ku vihet presja, tani shkruajnë analiza për rendin botëror dhe krizën e demokracisë liberale.
– Po Doktori vetë nuk e përdor, – tha Muli.
– Doktori nuk ka nevojë, – tha Lelo. – Ai ka inteligjencën natyrale të vitit 1991. E ka të certifikuar dhe nuk pranon përditësime. Inteligjenca artificiale ndryshon përgjigje kur i jep fakte të reja, kurse Doktori jo. Doktori përgjigjet njësoj, pavarësisht fakteve.
– Atëherë kjo e bën më të fortë, – tha Muli.
– Natyrisht. Inteligjenca artificiale të thotë se mund të gabojë. Doktori nuk e pranon kurrë këtë. Prandaj dhe është më bindës për demokratët.
– Mirë, por duhet të mbajmë një qëndrim të qartë për “Besën”, – tha Muli. – Demokratët presin vijën tonë.
– Duhet të themi se Rama e ka bërë “Besën” me inteligjencë artificiale, ndërsa ne e kemi bërë partinë me inteligjencë natyrale.
– Të kujt?
– Të Doktorit. Kjo e ben Doktorin te perjetshem si lider. Sapo inteligjenca artificiale të kuptojë çfarë kërkon Doktori, atëhere ne kemi deshtuar, e kemi Doktorin e zevendesueshem. Deri tani IA nuk e kupton Doktorin ndaj eshte i pazevndesueshem.

