Drejtori iQendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen, duke kundërshtuar hapur luftën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Iran.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Kent u shpreh se nuk mund ta mbështesë konfliktin aktual.
“Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën në Iran. Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë,” deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij lufta ka nisur “për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobet e tij në SHBA”.
Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit është një institucion kyç që mbikëqyr inteligjencën amerikane mbi kërcënimet terroriste dhe administron bazat e të dhënave për individët e dyshuar për terrorizëm.
Kent, një ish-ushtarak i forcave speciale dhe mbështetës i gjatë i Donald Trump, i ka dërguar gjithashtu një letër presidentit amerikan ku shprehet se e kishte mbështetur gjatë mandatit të parë, por se këtë herë ai është ndikuar gabimisht nga Izraeli.
Ai theksoi se nuk mund të mbështesë dërgimin e një gjenerate të re amerikanësh në luftë “që nuk i shërben interesit të popullit amerikan dhe nuk justifikon humbjen e jetëve”.
Kent ka shërbyer për 20 vite në forcat speciale të ushtrisë amerikane, duke marrë pjesë në 11 misione luftarake, si dhe ka punuar më pas për CIA. Ai ka qenë gjithashtu aleat politik i Tulsi Gabbard, e cila ka mbajtur një profil të ulët që nga nisja e luftës dhe më herët ka kritikuar ndërhyrjet ushtarake amerikane jashtë vendit.
Dorëheqja e tij vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare dhe reflekton përçarjet brenda administratës amerikane lidhur me përfshirjen në konfliktin me Iranin.


