Që prej 18 gushtit ka nisur pelegrinazhi i madh i bektashinjve në Malin e Tomorrit, një nga aktivitetet më të rëndësishme fetare që zhvillohet çdo vit në këtë zonë. Pelegrinazhi do të vijojë deri në 25 gusht, me pjesëmarrjen e besimtarëve nga Shqipëria, diaspora dhe vende të ndryshme të botës.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe shmangien e problematikave në qarkullim, Drejtoria Vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me Komisariatet Kuçovë dhe Skrapar, ka hartuar një plan masash me fokus garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.
Shërbime shtesë janë planifikuar në akset rrugore që të çojnë drejt Malit të Tomorrit, si dhe pranë Teqesë së Kulmakut. Në zbatimin e planit marrin pjesë edhe FNSh Fier, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, shërbimet zjarrfikëse, Spitali Rajonal Berat, pushteti vendor dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Sipas specialistit të trafikut urban dhe interurban të policisë Berat, Lorenc Tanushi, gjatë ditëve të pelegrinazhit do të ketë ndryshime në itineraret e lëvizjes dhe kufizime për kategori të caktuara mjetesh.
Itinerari për mjetet që ngjiten drejt Teqesë së Kulmakut
Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut.
Për mjetet që zbresin nga Mali i Tomorrit:
Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – rruga “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga Çorovoda këshillohen të përdorin aksin Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut dhe anasjelltas.
Gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit, nga ora 06:00 deri në 24:00, në disa akse rrugore nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë.
Kufizimet do të zbatohen në akset Vlashuk–Kuçovë–Berat, Ura e Kuçit–Dimal–Berat, Pobrat–Dimal–Berat, Berat–Mali i Tomorrit, Berat–Çorovodë dhe Çorovodë–Gjerbës–Mali i Tomorrit.
Autobusët, furgonët me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen në segmentin Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit.
Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin Plirëz–Teqeja e Kulmakut qarkullimi do të kryhet në kolonë dhe do të ndalohen parakalimet.
Policia apelon gjithashtu që drejtuesit të mos ndalojnë apo parkojnë në akset rrugore dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku lejohet qëndrimi dhe parkimi.
Pelegrinazhi, traditë që mbledh qindra mijëra besimtarë
Gjatë këtyre ditëve, Mali i Tomorrit pritet të presë rreth 600 mijë pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe vende të ndryshme të botës. Besimtarët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit, në një aktivitet ku marrin pjesë njerëz me besime të ndryshme fetare.
Pelegrinët ngrenë çadrat e tyre në malin e shenjtë, kryejnë ritet fetare dhe traditën e kurbanit, ndërsa shumë prej tyre ngjiten në këmbë drejt majës së Tomorrit, në 2416 metra mbi nivelin e detit.
Të parët që mbërrijnë në mal janë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët sjellin qengjat që ofrohen si kurban gjatë festës.
Teqeja e Kulmakut ka hapur dyert për pelegrinët dhe janë marrë masa për sigurimin e çadrave, ujit të pijshëm, ndriçimit dhe ambienteve sanitare.
Gjatë pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut zhvillohen ritet fetare, ndërsa besimtarët luten për shëndet, mirësi dhe paqe në familjet e tyre.

