Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke argumentuar se shoqëria koncesionare ka dështuar të përmbushë detyrimet dhe afatet e përcaktuara në kontratë.
Sipas shkresës që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar shoqërisë Vlora International Airport, ortakëve të saj dhe financuesit të projektit, Bankës Kombëtare Tregtare, vendimi mbështetet në një sërë shkeljesh kontraktore.
“Janë konstatuar një sërë shkeljesh kontraktore dhe problematikash, që lidhen me mosrealizimin e objektit të koncesionit brenda afateve kontraktore dhe me mospërmbushjen e detyrimeve nga Shoqëria Koncesionare”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Kapitali.
Qeveria i referohet nenit 15.4 të kontratës, i cili i jep Autoritetit Kontraktues të drejtën për zgjidhjen e parakohshme të saj nëse aeroporti nuk vihet në operim brenda 90 ditëve nga data e përcaktuar.
Afati fillestar për nisjen e operimit ishte 20 shkurt 2026, ndërsa periudha shtesë 90-ditore përfundoi më 20 maj. Aeroporti nuk ishte vënë në funksion as pas këtij afati.
Sipas Ministrisë, koncesionari ka ndryshuar vazhdimisht parashikimet për përfundimin e projektit: fillimisht afati u shty për në gusht 2026, më pas për 1 mars 2027 dhe, së fundmi, është paraqitur një periudhë zbatimi prej tetë muajsh pa një datë konkrete përfundimi.
“Ky ndryshim i vazhdueshëm i afateve dëshmon qartë pamundësinë e Shoqërisë Koncesionare për të deklaruar një afat të qëndrueshëm dhe të mbështetur për vënien në operim”, argumenton MIE.
Një nga shkaqet kryesore të ngërçit, sipas qeverisë, janë edhe konfliktet mes ortakëve të koncesionit, të cilat kanë përfunduar në përplasje gjyqësore dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve.
Në shkresë përmenden gjithashtu mosmarrëveshjet për transferimin e kuotave dhe marrëveshjen e huasë, përfshirë kredinë prej 100 milionë eurosh të marrë nga Mabco, të cilat, sipas Ministrisë, kanë krijuar “pengesa konkrete dhe të pakapërcyeshme” në funksionimin e shoqërisë.
Pas përpjekjeve për t’u dhënë ortakëve kohë për të zgjidhur konfliktet dhe për të garantuar vazhdimin e projektit, Ministria thotë se situata nuk është zgjidhur. Për këtë arsye, ajo vlerëson se zgjidhja e kontratës së koncesionit është tashmë e nevojshme për mbrojtjen e interesave të shtetit.
Procedura shënon praktikisht dështimin e deritanishëm të projektit koncesionar të Aeroportit të Vlorës, i cili duhej të kishte hyrë në operim që në shkurt të këtij viti.

