Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, anëtarja e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Chuck Grassley , Roger Wicker, Dick Durbin, Thom Tillis dhe Elizabeth Warren dhe përfaqësuesit Mike Turner dhe Ann Wagner i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarit të Thesarit Scott Bessent duke i bërë thirrje Administratës të vendosë sanksione ndaj ish-Presidentit të Republika Srpska Milorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij, për shkak të veprimeve vazhdueshme për të kërcënuar integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, shkruan Express.
Ligjvënësit amerikanë paralajmëruan se retorika e vazhdueshme separatiste e Millorad Dodik, koordinimi me aktorët e huaj dhe përpjekjet për të minuar Marrëveshjen e Paqes së Daytonit rrezikojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor në një moment kritik dhe i kërkuan Administratës të zbatojë sanksionet e reja të miratuara në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026.
Ata gjithashtu kanë theksuar se vendimi i mëparshëm i Administratës për të hequr sanksionet ndaj Dodik ka inkurajuar sjelljen e tij dhe ka minuar besueshmërinë e SHBA-së në rajon.
“Ne shkruajmë me shqetësim në lidhje me veprimet, retorikën dhe operacionet e ndikimit të huaj të ish-presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilat kanë implikime të konsiderueshme për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, shkruan ligjvënësit.
“Më 9 janar 2026, Dodik, së bashku me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të qeverisë së Republikës Srpska, organizuan dhe morën pjesë në Ceremoninë Përkujtimore të Ditës së Republikës Srpska, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës në lidhje me respektimin e asaj Dite.”
“Është e qartë se veprimet e fundit të Dodik meritojnë një shqyrtim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm”, vazhduan ligjvënësit.
“Nga organizimi dhe pjesëmarrja në ngjarje të konsideruara jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës deri te amplifikimi i retorikës përçarëse dhe avokimi për tërheqjen e Republikës Srpska nga korniza e Dejtonit, sjellja e tij kërcënon drejtpërdrejt stabilitetin rajonal. Angazhimi i tij me entitetet e huaja për të çuar përpara pavarësinë nënvizon më tej urgjencën e një përgjigjeje nga SHBA-të.”
“Veprimet e vazhdueshme të Dodik, konkretisht ato të ndërmarra përmes qeverisë së Republikës Srpska të cilat i drejtojnë lobistët të çojnë përpara pavarësinë, kualifikohen si aktivitete të sanksionueshme sipas Seksionit 8335 të NDAA-së, duke pasur parasysh se këto veprime ‘kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor’”, përfunduan ligjvënësit.
“Prandaj, u bëjmë thirrje departamenteve tuaja përkatëse të marrin vendimet përkatëse për personat përkatës, në përputhje me ligjin.”

