Nga Margaret MacMillan, The New York Times
Ka gjithmonë shenja kur një stuhi është pranë. Erërat mund të shtohen papritur. Dallgët mund të shkojnë më larg se zakonisht. Një pafundësi resh lëvizin nëpër qiell.
Ndodh që t’i keqlexosh këto shenja ose edhe t’i injorosh plotësisht – të këmbëngulësh që pikat e shiut janë vetëm një rrebsh kalimtar – derisa vjen koha kur është tepër vonë. Atëherë nisin telashet e vërteta.
Ajo çka është e vërtetë për motin është gjithashtu e vërtetë edhe për marrëdhëniet njerëzore. Regjimet duken të forta deri sa nuk janë më të tilla. Revolucionet në shtëpi dhe trazirat në rendin ndërkombërar – të dyja kombinohen kaq shpesh me njëra-tjetrën – janë të lehta për t’u parë në retrospektivë, por jo gjithmonë parashikohen. E megjithatë, nëse shohim më nga afër, shpesh zbulojmë se shenjat kanë qenë aty qysh në fillim.
Ne që jetojmë në shoqëri relativisht të qëndrueshme dhe me rregulla na pëlqen të besojmë, sikurse personazhi absurd i Volterit, Dr. Pangloss, i cili kalon nga një katastrofë në tjetrën, se “gjithçka ndodh për më mirë.” Mund të ankohemi për ekonominë apo mundësinë e një tjetër lufte të largët, ose të dëgjojmë duke aprovuar zërat radikalë nga secili krah i spektrit politik, por kurrsesi nuk na e merr mendja se bota jonë do të kthehet përmbys.
Do të bënim mirë të dëgjonim paralajmërimin e një tjetër autori francez. Në romanin “Murtaja” të Alber Kamy, kur rrugët e qytetit algjerian të Oranit pushtohen nga minj të ngordhur dhe njerëzit infektohen nga një sëmundje misterioze, qeveria lokale dhe shumica e popullsisë i injorojnë shenjat deri sa është tepër vonë. “Historia njeh po aq murtaja sa edhe luftëra,” thotë narratori i Kamysë, “e megjithatë si murtajat ashtu edhe luftërat vazhdojnë t’i kapin në befasi njerëzit.”
Sot kemi “minj të ngordhur” ngado. Temperatura të reja rekord janë regjistruar këtë verë, toka është përballur me thatësia dhe zjarre shkatërrimtare. Borxhi në ekonomitë e përparuara të botës po arrin nivele historike. Shkurtimet e fondeve në ndihma ushqimore dhe mjekësore, kryesisht nga SHBA, kanë shkaktuar vdekje të panevojshme dhe kanë ndihmuar në përhapjen e sëmundjeve, njëra prej të cilave, herët a vonë, mund të kthehet në një tjetër pandemic.Inteligjenca artificiale vazhdon të zhvillohet shpejt dhe pa rregulla, duke kërcënuar vendet e punës, sigurinë dhe, në disa projeksione më të zymta, vetë ezkistencën njerëzore.
Fuqitë revizioniste i shpërfillin pa kurrfarë frike rregullat dhe normat. Elektoratet janë të zemëruar dhe të brishtë. Diplomacia e avashtë dhe diskrete, e cila ndërton besim dhe kuptim, ia ka lënë vendin një stili të pacipë performativ, i përshtatshëm vetëm për TikTok-un ose këndin e lojrave të fëmijëve.
Programi i të Dhënave të Konflikteve në Uppsala regjistroi vitin e kaluar 65 konflikte ndërshtetërore, shifra më e lartë që nga viti 1946. Fuqitë e mëdha gjenden të bllokuara në luftër asimetrike me shtete që po shfrytëzojnë në maksimum teknologjitë e reja. Lufta e Putinit në Ukrainë, që supozohej të fitohej brenda pak ditësh, po hyn në vitin e pestë. Irani, duke përdorur dronë të lirë të prodhuar në masë për të sulmuar forcat amerikane dhe aleate, ka marrë nën kontroll, ndoshta përgjithmonë, një corridor tregat kyç, duke reduktuar në mënyrë drastike rezervat e raketave të SHBA-së dhe duke e bllokuar Presidentin Trump në një luftë të cilën e zgjodhi vetë.
Një luftë botërore nuk është e pashmangshme, por kërcënimi nga një konflikt katastrofik mes fuqive të mëdha e të mirëarmatosura është më pranë seç ka qenë për dekada të tëra.
Sikurse banorët e Oranit të Kamysë, ne hezitojmë të pranojmë se sa shumë ka ndryshuar bota. Problemet janë serioze, komplekse dhe të lodhshme, kështu që është më e lehtë të kthesh kokën në anën tjetër. Ndaj shkojmë për pushime buzë detit, ndërsa zjarret vazhdojnë të djegin; pyesim AI-në si të trajnojmë qenin, si të shkruajmë një letër – të mendojë për ne. Shpresojmë që luftërat do të përfundojnë, që kornizat mbrojtëse, institucionet dhe aleancat do të rindërtohen dhe që bota siç e njohim do të rimëkëmbet dhe të lulëzojë.
Por një realitet i ri ia ka behur me shpejtësi të frikshme. Rendi botëror që na ka shoqëruar për pjesën më të madhe të jetës, nisi të gërryhej kur njerëzit që jetonin brenda tij u bënë më të nënshtruar e të bdinur dhe kur nisën të pranon – madje të aprovonin – sjellje të këqija.
Kemi mbërritur në një epokë të re kaosi. Duhet të përgatitemi, çka nis me të qenët të sinqertë rreth seriozitetit të momentit në të cilin gjendemi dhe të pranojmë se sistemi ynë i brishtë po thyhet. Se vendet e tjera kanë nisur të përshtaten, për mirë ose për keq. Dhe se çdo e ardhme bashkëpunimi do duhet të jetë krejt ndrysh,e
Po ç’ndodh me ata që nuk pranojnë të përshtaten dhe këmbëngulin se një sistem në rrënim e sipër mund të vazhdojë? Konsideroni tri revolucione që ishin të tilla dhe një që nuk ishte.
Në prag të Revolucionit Francez, Franca, fuqia më e madhe tokësore e Europës, ishte me shumë gjasë një shtet i falimentuar, kryesisht për shkak të shumave të jashtëzakonshme që kishte marrë hua për të financuar luftën kundër britanikëve gjatë Revolucionit Amerikan. Elitat sunduese, ekstravagante dhe të korruptuara, e kishin humbur busullën, ndërsa një shtresë e mesme gjithnjë e më e fuqishme, por e përjashtuar nga pushteti politik, kërkonte ndryshim. Në fund të piramidës shoqërore, punëtorët dhe fshatarët përballeshin me urinë dhe dëshpërimi po rritej.
Ndërkohë po qarkullonin ide të reja dhe të fuqishme të Iluminizmit, disa prej tyre të importuara pikërisht nga Revolucioni Amerikan, për të drejtat e njeriut dhe forma të reja qeverisjeje që do t’i jepnin pushtet të paktën një pjese të popullit.
Mbretërit francezë dhe oborri i tyre nuk e kuptuan thellësinë e pakënaqësisë dhe menduan se asgjë nuk mund t’i lëkundte nga pozita e privilegjuar. Gabuan. Monarkia u përmbys dhe në vend të saj lindi një republikë kaotike dhe e dhunshme. Brenda një dekade, Napoleoni do të bëhej perandor.
Nuk ekziston një model i vetëm për ndryshimet revolucionare, por ata që ndodhen në majë të një regjimi shpesh nuk e kuptojnë sa i brishtë është sistemi mbi të cilin qëndrojnë. Revolucioni Rus i vitit 1917 erdhi si pasojë e disfatës jashtë vendit dhe jo e një fitoreje të kushtueshme. Por edhe Cari Nikolla II këmbëngulte, kundër çdo prove, se nuk kishte nevojë për reforma, sepse rusët vazhdonin ta adhuronin.
Në Gjermaninë e viteve 1930, Hitleri u ftua në pushtet nga elitat që besonin, gabimisht, se do të mund ta përdornin dhe se sistemi ekzistues ishte mjaftueshëm i fortë për ta mbajtur nën kontroll.
Secili prej këtyre revolucioneve pati pasoja të thella ndërkombëtare. Napoleoni e çoi Francën drejt dominimit të kontinentit, duke shkatërruar institucione të vjetra dhe ide si e drejta hyjnore e mbretërve për të sunduar. Bolshevikët, pasi morën pushtetin në Rusi, predikuan dhe nxitën internacionalizmin revolucionar, duke i shpallur luftë kapitalizmit dhe vendeve demokratike në të gjithë botën. Hitleri e riarmatosi Gjermaninë, pushtoi pjesën më të madhe të Europës dhe vrau miliona hebrenj dhe shumë të tjerë në emër të dominimit arian.
Megjithatë, ka raste kur vendet dhe udhëheqësit e tyre arrijnë t’i lexojnë shenjat në kohë. Në vitet 1820, qeveria britanike po përballej me presionin e shtresës së mesme, të krijuar rishtazi nga Revolucioni Industrial, por ende të përjashtuar nga vendimmarrja politike. Elita britanike, me katastrofën franceze ende të freskët në kujtesë, e kuptoi se duhej të përshtatej nëse donte të mbijetonte. Akti i Madh i Reformës i vitit 1832 funksionoi si një valvul shkarkimi, duke zgjeruar mjaftueshëm të drejtën e votës për të shmangur një krizë më të gjerë.
Është e lehtë të gjesh paralele me momentin tonë.
Popullsi të zemëruara. Elita të pazgjedhura me pasuri të jashtëzakonshme dhe fuqi të mjaftueshme për t’i përkulur qeveritë sipas interesave të tyre. Udhëheqës që refuzojnë të ndërtojnë konsensus apo të dëgjojnë këshilla.
Kur në janar Donald Trump u pyet se çfarë kufijsh kishte pushteti i tij, ai u përgjigj: “Morali im”. Luigji XIV e la Francën të dobësuar rëndë pas luftërave që zhvilloi, siç thoshte vetë, për “la gloire”, lavdinë e tij.
Ata që zgjedhin t’i shpërfillin shenjat paralajmëruese dhe ta hedhin poshtë historinë si të parëndësishme për të tashmen mund të befasohen, madje të tmerrohen, kur ngjarjet që nuk i dëshironin t’u ndodhin gjithsesi.
Rendi ndërkombëtar ka qenë gjithmonë i varur nga mbështetja e fuqive të mëdha dhe nga bashkëpunimi e pranimi i një numri të mjaftueshëm fuqish më të vogla. Në fund të Luftës së Ftohtë, me zhdukjen e Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dukeshin të gatshme të vazhdonin si garantuesja e sistemit të ngritur pas vitit 1945.
Nën Presidentin Trump, kjo nuk është më e sigurt.
Mund të ndodhë që, nën një president tjetër, Shtetet e Bashkuara të rikthehen në rolin e tyre si hegjemone, mbështetëse të gatshme të institucioneve dhe normave ndërkombëtare, aleate e mirë dhe e besueshme dhe kundërshtare e vendosur e tiranëve. Atëherë bota mund të vazhdojë sërish, të paktën nga disa këndvështrime, po aq paqësisht sa ka vazhduar që nga viti 1945.
Fuqitë e mëdha, tashmë përfshirë Kinën dhe Indinë, do të vazhdojnë të bashkëjetojnë me fërkime, por pa u përplasur drejtpërdrejt, ndërsa diçka që vazhdojmë ta quajmë “komuniteti ndërkombëtar” do t’i rikthehet punës për të luftuar varfërinë, padrejtësinë, konfliktet dhe ndryshimet klimatike.
Por po sikur tashmë të kemi hyrë në fazat e para të një periudhe të gjatë çrregullimi?
Një botë ku nuk mund të supozojmë më se ajo që ishte e vërtetë dje do të jetë e vërtetë edhe nesër, apo se institucionet që duken të pathyeshme do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Ndoshta duhet të mësojmë të mos habitemi më nga ajo që sjell çdo ditë lajmi.
Ndodhin katastrofa natyrore si përmbytjet në Nepal dhe Tibet dhe nuk është më e qartë se kush do të vijë në ndihmë. A ngremë supet dhe vazhdojmë jetën tonë? Konflikte, disa prej të cilave mund të përfshijnë fuqitë e mëdha, shpërthejnë pa ndonjë arbitër të dukshëm. Aleanca që i kemi konsideruar të sigurta, si NATO, po vihen vazhdimisht në provë dhe mund edhe të shpërbëhen. Lufta hibride e Rusisë ndaj Europës po zgjerohet; Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të përplasen për Tajvanin; ndërsa konkurrenca për burime në një botë gjithnjë e më të nxehtë dhe më të thatë tashmë po ushqen dhunë.
Kjo është një botë gjithnjë e më e paparashikueshme, ku, shumë më tepër nga sa e kishim menduar, mbetemi në mëshirën e udhëheqësve tanë. Ata janë më pak të kufizuar nga kornizat e jashtme dhe ndihen më të lirë t’i shpikin rregullat gjatë rrugës.
Pikërisht në këtë moment duhet t’i zgjedhim vendimmarrësit tanë me më shumë kujdes se kurrë, ndërkohë që elektoratet duken gjithnjë e më pak të prirura ta bëjnë këtë.
Retë janë të zeza. Por fundi i sistemit të vjetër nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i bashkëpunimit.
Ne ende kemi shumë prej elementeve të një rendi botëror funksional. Ekziston një rrjet i pasur institucionesh ndërkombëtare, shumë prej të cilave pothuajse të padukshme në jetën e përditshme, që menaxhojnë lidhjet mes vendeve, nga aviacioni civil te interneti.
Traktatet në pjesën më të madhe vazhdojnë të respektohen. E drejta ndërkombëtare dhe sovraniteti mund të jenë të vështira për t’u imponuar dhe mbrojtur, por shumica prej nesh vazhdon t’i dënojë shkeljet e tyre. Vetë ekzistenca e një opinioni publik ndërkombëtar ende mund të ushtrojë presion mbi udhëheqësit.
Shumë prej organizatave të strukturës që po zbehet, mes tyre Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Banka Botërore, po humbasin gjithnjë e më shumë burime dhe kuptim. Por vazhdojnë të ekzistojnë.
Në një fjalim shumë të diskutuar në Davos në janar, kryeministri kanadez Mark Carney, disa muaj përpara se negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara të dështonin, e përshkroi fundin e Pax Americana-s si fundin e një “iluzioni të këndshëm”.
Por vendet e tjera mund të kundërveprojnë, tha ai, sidomos nëse bashkohen në koalicione të ndërtuara mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta. Një numër fuqish të mesme, përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Japoninë, tashmë po përpiqen të punojnë së bashku për të mbushur boshllëkun që ka lënë tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga roli i dikurshëm i superfuqisë dashamirëse.
Ndryshimi është i vështirë, por kapja pas mënyrave të vjetra mund të jetë një iluzion i rrezikshëm.
Në verën e vitit 1914, ministri i Jashtëm britanik, Sir Edward Grey, dhe shumë të tjerë në pozita pushteti në Britani dhe në Europë supozuan se kriza më e fundit në Ballkan do të zgjidhej, ashtu si krizat e mëparshme, përmes një konference të fuqive të mëdha.
Ai nuk arriti të kuptonte sa shpejt po rrëshqiste Europa drejt luftës dhe as ta përdorte peshën e madhe të Britanisë për t’i ulur palët në tryezë. Lufta e Parë Botërore e ndryshoi Europën dhe botën përgjithmonë.
Deri në vitin 1945, Britania, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kishin luftuar dy luftëra botërore brutale brenda tri dekadash.
Kur ngritën arkitekturën e rendit që kemi trashëguar, ata e dinin shumë mirë se çfarë donin të shmangnin. Kornizat e mëparshme kishin dështuar. Kësaj here do të ndërtonin diçka të re që nuk duhej të dështonte.
Rruga panglosiane e optimizmit të pabazë është një rrugë pa krye.
Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë atë që njerëzit kanë bërë kaq shpesh më parë: të nisim punën e gjatë, të lodhshme dhe të vështirë për të ndërtuar diçka të re nga fillimi.
Margaret MacMillan është historiane dhe ish-drejtuese e ‘St. Antony’s College’ në Universitetin e Oksfordit.

