Më 26 gusht KLGJ dhe dy ditë më pas KLP e përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve e prokurorëve, me një rritje të konsiderueshme, me argumentin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda 31 korrikut, edhe pse ishte i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses.
Edhe pse ndenji e heshtur dhe nuk i komentoi këto vendime, qeveria ka vepruar vetëm pak ditë më pas. Ministria e Financave ka bllokuar çdo transaksion nga thesari i shtetit për pagat e muajit gusht për pjesën dërrmuese të institucioneve të drejtësisë. Listpagesat nuk janë miratuar në thesar, jo vetëm për magjistratët por edhe për punonjësit e tjerë. Pra, nga kryetarët e gjykatave dhe prokurorive e deri të sanitarët apo rojet nuk janë paguar.
Lajmi i dhënë fillimisht ekskluzivisht në Report Tv u konfirmua edhe nga një reagim i përbashkët i tre shoqatave të magjistratëve: Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe ajo Prokurorëve.
Magjistratët thonë se pagat kaluan fillimisht vetëm për 2 prokurori në vend dhe më pas u bllokuan në thesar për të gjitha institucionet e tjera. Gjyqtarët dhe prokurorët e shohin si të papranueshëm këtë veprim të ekzekutivit, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk po zbatohet.
“Çdo vonesë apo pengim në ekzekutimin e pagesave të miratuara dhe të urdhëruara sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese krijon një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, ajo prek respektimin e themeleve të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë pavarësisht argumentit të KLGJ e KLP se zbatuan një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Report Tv mësoi se vetë Kushtetuesja është paguar, për shkak se ka depozituar listëpagesat me shumën e vjetër, pra pa rritjen e llogaritur.
Dy institucioneve të vetme që u kanë kaluar pagat me rritje janë prokuroritë e Dibrës dhe Kukësit, të cilat i kishin çuar më herët listëpagesat dhe u janë miratuar nga drejtoritë e thesarit në rrethet përkatëse. Pa rroga kanë mbetur të gjitha gjykatat e prokuroritë e tjera, por edhe vetë institucionet qeverisëse të sistemit, KLGJ dhe KLP.
Bllokimi nga qeveria vjen pasi dy KLP e KLGJ vendosën të rrisin pagën referuese të magjistratëve me 65.600 lekë shtuar dhe 14 mijë lekë shtesë për nivelin e kualifikimit.
KLGJ e më pas KLP vendosën që, duke nisur nga 1 gushti, paga e çdo gjyqtari të llogaritet mbi një pagë referuese prej 222 mijë lekësh, nga 156.800 lekë që ishte më parë, plus shtesën 14 mijë lekë për diplomën.
Realisht ky ndryshim i rrit ndjeshëm pagat e magjistratëve, që shkojnë deri në mbi 3000 euro më shumë për institucionet e larta të sistemit apo edhe strukturat e posaçme, për shkak të formulave të përcaktuara në ligj./Isa Myzyri

