Selim Çelmeta, komandant në Departamentin e Sherifit në Santa Barbara, SHBA, ka komentuar aktet e dhunës ndaj efektivëve të policisë gjatë protestave në Shqipëri, duke sjellë përvojën amerikane për mënyrën se si trajtohen raste të tilla.
“Sa herë që shoh në Shqipëri dikë që ngre dorë kundër policit apo gardistit, më duket gabim, një tragjedi. Kjo gjë nuk ndodh në SHBA”, është shprehur Çelmeta.
Sipas tij, në Shtetet e Bashkuara protestuesit janë të vetëdijshëm për pasojat ligjore që sjell çdo veprim i dhunshëm ndaj forcave të rendit. Edhe një shtyrje, prekje apo hedhje uji ndaj një oficeri mund të bëhet shkak për procedim penal.
Çelmeta thekson se, në varësi të rrethanave dhe veprës penale, dënimet mund të shkojnë nga 6 deri në 12 vjet burg.
“Policia mban vendin e vet, protestuesit vendin e tyre”, shprehet ai, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Deklaratat e komandantit shqiptar vijnë në një kohë kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke rikthyer debatin mbi kufijtë e protestës dhe respektimin e ligjit.
Intervista e plotë është transmetuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga, në Dritare TV.
https://www.facebook.com/share/v/1FDNd7ESsb/

