Nga spitali i Traumës, biznesmeni i njohur i kompanive ‘Delta’, ‘Deutchcolor’, ‘Dast’, e të tjera nuk do të dërgohet në qeli. Tre ditë pasi u arrestua, pas sherrit me armë në hotelin ‘Regina Palm’ të Vasil Bedinajt, ndaj tij Gjykata e Vlorës vendosi vetëm ‘detyrim paraqitje’.
Në seancën, e cila ka zgjatur rreth 3 orë, Muça ka mohuar pretendimet për gjobëvënie, pasi sipas tij ka shkuar në resortin në Rradhimë për t’u sqaruar për një pronë me sipërmarrësin Bedinaj. Me këtë lehtësim të masës, nga arrest në detyrim paraqitje, gjykata siç duket nuk e ka konsideruar serioz pretendimin e palës tjetër se Muça kishte shkuar te Bedinaj per gjobëvënie.
Megjithatë Gjykata e Vlorës i ka lënë në qeli tre njerëzit e tij, pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të së enjtes.Për Mandrit Lleshajn, pronarin e ‘SWAT Security’, rojet e së cilës e shoqëronin Muçën, gjykata vendosi arrest me burg, njëjtë si për vëllain e tij Klaudio Lleshajn. Në qeli është lënë edhe shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, i cili u ka teksa largohej me një ‘Range Rover’, i cili kishte edhe një shenjë plumbi në xhamin e përparmë.
Pikërisht personi që akuzohet se qëlloi ndaj makinave të grupit të Muçës, me armën me leje të biznesmenin Vasil Bedinaj, Angjelo Breshani, është lënë në arrest shtëpie.
Për ngjarjen që tronditi opinion publik në kulmin e sezonit turistik, janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë, ndërkohë që vijon hetimi në prokurorinë e Vlorës dhe sektorin e krimeve të rënda në policinë e Vlorës.
Menjëherë pas lirimit vetë Muça ka bërë një reagim të gjatë për mediat, ku sqaron sipas tij çfarë ka ndodhur. Muça flet për një investim në zonën e Palasës, për të cilin që prej vitit 2019 ka blerë 97.000 m² tokë nga pronarët vendos.
Ai thotë se edhe pse kishte marrë statusin e investitorit strategjik apo leje ndërtimi kishte parë se mbi për një sipërfaqe të tij ishte dhënë një tjetër projekti si investitor strategjik, madje që kishte nisur shitje apartamentesh në rrjetet sociale.
Muça thotë se pasi ka kërkuar informacion nga AZHT, vetëm një orë më pas ka marrë një telefonatë nga Vasil Bedinaj, i cili i kërkoi që ta sqaronin të dy situatën, pa institucionet, dhe u la takim te hoteli në Orikum.
Biznesmeni Muça pretendon se në hotelin ‘Regina Palm’ u përball me sharje e fyerje nga Bedinaj dhe pas largimit ai tha se njerëz të armatosur, të thirrur nga Bedinaj, i kanë sulmuar me armë zjarri.
Për pretendimin e Bedinajt për një gjobë 5 milionë euro të vendosur ndaj tij nga biznesmeni Muça, ky i fundit e ka hedhur plotësisht poshtë, duke pretenduar se si zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinete, duk kishte nevojë t’i vinte gjobë “një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist”.
“Modestisht, mund të them se jam krijues dhe zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinente, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, si dhe vende si Italia, Senegali, Tunizia, Egjipti dhe, sigurisht, Ballkani, me një qarkullim vjetor multimilionësh.
Në këtë kontekst, fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen”, ka deklaruar mes të tjerash Muça.
Konflikti ngjalli reagime të shumta, ndër të cilat dhe ai i kryeministrit Rama, ndërsa Policia dhe Prokuroria thanë se po bënin një hetim të thelluar lidhur me ngjarjen. Sipas Ramës, toka për të cilën ndodhi konflikti do të shpronësohet dhe do të kthehet në ullishte, me qëllim për t’i dhënë ‘një mësim’ biznesmenëve që konfliktohen në mes të sezonit turistik.

