Skadon afati i rregullave të fleksibilitetit për hyrje-daljet në BE, priten radhë dhe vonesa në pikat kufitare

Skadon afati i rregullave të fleksibilitetit për hyrje-daljet në BE, priten radhë dhe vonesa në pikat kufitare

Udhëtarët drejt BE-së mund të përballen sërish me radhë të gjata në kufi, pasi masat fleksibilizuese për Sistemin e Hyrje-Daljeve (EES) të bllokut kanë përfunduar zyrtarisht, megjithëse burime të shumta për The Guardian kanë bërë të ditur se disa shtete anëtare nuk do të zbatojnë kontrollet biometrike.

Javën e kaluar, kompanitë ajrore i kërkuan Komisionit Evropian të zgjasë kompetencat për pezullimin e kontrolleve të EES-së kur është e nevojshme, deri në fund të vitit 2026, ndërsa afati për masat e “fleksibilitetit” përfundoi më 6 shtator.

Kulmi i sezonit turistik nuk ka sjellë përsëritje të radhëve të gjata që u panë në disa aeroporte evropiane në fillim të verës, të cilat bënë që shumë pasagjerë të humbnin fluturimet. Linjat ajrore dhe operatorët turistikë paralajmërojnë se kontrollet biometrike mund të rrisin ndjeshëm kohën e pritjes në aeroporte dhe pika të tjera kufitare.

Sistemi parashikon regjistrimin e udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së, duke përfshirë fotografimin dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve gjatë kalimit kufitar.

Edhe pse Brukseli nuk e ka zgjatur periudhën e lehtësirave, duket se udhëtarët mund të mos përballen me ndryshime për shkak të problemeve teknike me sistemin në disa vende, përfshirë kontrollet biometrike, gjurmët e gishtërinjve. Në disa shtete të BE, pasagjerët nga vende jo anëtare nuk po kontrollohen edhe me qëllimin për të shmangur radhët e gjata dhe kjo mund të vazhdojë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha javën e kaluar: “Jemi në kontakt të ngushtë dhe konstruktiv me ato pak shtete anëtare ku nevojiten disa përshtatje në pika të caktuara të kalimit kufitar. Dhe gjatë një periudhe shtesë të përshtatjes operacionale, e cila nevojitet në këto pak pika kufitare që ende po përshtaten me funksionimin e sistemit, Komisioni është i gatshëm t’u ofrojë mbështetje shtesë këtyre shteteve anëtare.”