Pas atij në Levan-Tepelenë një tjetër aksident me vdekje sot në autostradën Durrës-Tiranë

Pas atij në Levan-Tepelenë një tjetër aksident me vdekje sot në autostradën Durrës-Tiranë

Një aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Levan-Tepelenë pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit.”

Dy automjete tip “Audi” dhe “Benz” janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë e përplasjes së fortë ka humbur jetën drejtuesi i ‘Audi’-t, Dashmir Beca. 55-vjeçari, i cili humbi jetën në vend, është transportuar drejt morgut ndërsa shoferi tjetër ndodhet jashtë rrezikut. Janë plagosur edhe 3 pasagjerë që ndodheshin te ‘Benz’-i, por edhe ata janë jashtë rrezikut.

Paraprakisht dyshohet se shkaku kryesor i këtij aksidenti fatal ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e cila e ka bërë të pamundur manovrimin e mjeteve.

Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm edhe në autostradën Durrës-Tiranë ku janë përplasur 5 automjete.

Një 45-vjeçar është përplasur me një kamion dhe ka humbur jetën në vend. Më pas, janë përfshirë edhe 3 mjete të tjera dhe janë lënduar 5 pasagjerë, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesja e njërit prej mjeteve është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 05:20, në autostradën Durrës-Tiranë, janë përfshirë në një aksident rrugor 5 automjete.

Shtetasi H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.

Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.