Takimi i Teksasit s’ia heq damkën e korrupsionit Sali Berishës, juristi Romeo Kara zbërthen vizitën e tij në SHBA, pse udhëtimi me “waiver” nuk e shpëton kreun e PD nga DASH dhe as nga përballja me drejtësinë

Takimi i Teksasit s’ia heq damkën e korrupsionit Sali Berishës, juristi Romeo Kara zbërthen vizitën e tij në SHBA, pse udhëtimi me “waiver” nuk e shpëton kreun e PD nga DASH dhe as nga përballja me drejtësinë

Juristi i njohur, Romeo Kara ka zbërthyer me detaje juridike dhe politike debatin e fundit rreth udhëtimit të Partisë Demokratike, Sali Berishës në SHBA, duke bërë një dallim të prerë mes një përjashtimi procedural dhe rehabilitimit zyrtar. Sipas tij, opinioni publik po përballet me një manipulim intentional ku një leje udhëtimi po shitet si rrëzim i vendimit të vitit 2021.

Informacionet e bëra publike flasin vetëm për dhënien e disa “waivers” ose përjashtimeve sipas seksionit 7031(c) për interesa kombëtare të SHBA-së, por asnjëherë për revokim të sanksioneve. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, jursiti Kara theksoi se pjesëmarrja e Berishës në aktivitetin e International Democracy Union (IDU) në Dallas (Teksas) është një zhvillim politikisht i rëndësishëm, por ajo nuk përbën një ftesë personale nga administrata amerikane apo Partia Republikane.

Juristi thekson se aftësia fizike për të hyrë në territorin amerikan nuk e shfuqizon automatikisht damkën zyrtare për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Ndërsa Berisha përpiqet ta përdorë këtë vizitë si provë të thyerjes së izolimit ndërkombëtar, Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë asnjë sinjal për ndryshimin e qëndrimit të tij institucional, duke e nxjerrë nga lista e zezë kreun e PD.

Nëse kjo vizitë prodhon vetëm fotografi, takime partiake dhe deklarata entuziaste, ajo do të mbetet thjesht një fitore e përkohshme komunikimi. Prova e vetme e vërtetë e një rehabilitimi do të ishte një akt zyrtar nga Uashingtoni që deklaron pavlefshmërinë e dizenjimit të mëparshëm, element që mungon tërësisht sot.

Krijimi i kontakteve me figura politike në SHBA është një hap normal për një politikan, mirëpo asnjë takim partiak nuk e zëvendëson apo mbizotëron mbi një vendim ekzekutiv të DASH-it. Në fund, Romeo Kara nëntatëson se përpjekja për ta paraqitur një përjashtim udhëtimi si fitore ligjore është më shumë propagandë politike sesa fakt i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare.

-Z. Kara, po shohim një kakofoni të madhe publike ku mbështetësit e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha pretendojnë se vizita e tij në SHBA provon rrëzimin e “non grata-s”, ndërsa procedurat e DASH-it tregojnë se udhëtimi bëhet vetëm me përjashtim të përkohshëm (waiver) për aktivitetin e IDU-së. Si e gjykoni ju këtë lëvizje: a është një hap real drejt rehabilitimit politik me Uashingtonin, apo ndodhemi përballë shfrytëzimit të një dritareje procedurale për të krijuar iluzion politik këtu?

Unë do të bëja një dallim shumë të qartë mes një zhvillimi procedural real dhe një rehabilitimi politik të plotë. Nga informacionet publike deri tani, DASH ka folur për ëaivers të dhëna për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), jo për revokimin publik të dizenjimit të vitit 2021 ndaj Sali Berishës.

Përgjigjja ime për median do të ishte se, këtu po ngatërrohen qëllimisht ose, në rastin më të mirë, po interpretohen në mënyrë të ekzagjeruar dy gjëra krejt të ndryshme: e drejta për të udhëtuar në SHBA nëpërmjet një përjashtimi dhe rehabilitimi politik nga një dizenjim i mëparshëm i Departamentit të Shtetit. Nga ajo që është bërë publike, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka thënë se, ka revokuar apo anuluar publikisht dizenjimin e vitit 2021 ndaj Sali Berishës.

Formulimi që është bërë publik flet për dhënien e ëaivers, pra përjashtime, për disa persona të prekur nga masat e vendosura sipas seksionit 7031(c), me arsyetimin se një gjë e tillë i shërben një interesi kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, nëse Berisha udhëton në SHBA për aktivitetin e IDU-së në Dallas, kjo është padyshim një rrethanë e re dhe politikisht e rëndësishme.

Nuk ka kuptim të mohohet, por mundësia për të hyrë në SHBA nuk është automatikisht e barabartë me një deklaratë të Uashingtonit se akuzat apo dizenjimi i mëparshëm janë rrëzuar. Pikerisht këtu qëndron kakofonia që po shohim: njëra palë thotë “u rrëzua non-grata”, ndërsa dokumentacioni dhe deklarimet publike që njohim deri tani flasin vetëm për një ëaiver. Këto nuk janë e njëjta gjë.

Nëse do të kishte një rehabilitim të plotë politik dhe institucional, unë do të prisja një gjë shumë më të qartë: një akt, një deklaratë ose një qëndrim publik që të thoshte se, dizenjimi i mëparshëm është revokuar, tërhequr ose konsideruar i pavlefshëm. Deri më tani, ky është pikërisht elementi që mungon në informacionin publik. Sa për vizitën në Dallas (Teksas), duhet bërë edhe një dallim tjetër.

Nëse pjesëmarrja e tij bëhet në kuadër të delegacionit të International Democracy Union, atëherë nuk duhet shndërruar automatikisht në pretendimin se, kemi një ftesë personale nga administrata amerikane apo një akt zyrtar rehabilitimi nga Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara. Sipas informacioneve të publikuara për aktivitetin, pjesëmarrja është lidhur me delegacionin e IDU-së.

Sali Berisha po mundohet t’a përdorë këtë vizitë si fakt se, izolimi i tij ndërkombëtar nuk ekziston më dhe se sot ekziston një kanal që i lejon atij të jetë fizikisht në SHBA dhe të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të së djathtës. Por nga këtu deri te deklarata se “Uashingtoni e rehabilitoi”, ka një distancë të madhe. Në fund, prova e vërtetë nuk është thjesht nëse Sali Berisha zbret në aeroport në SHBA.

Ai mund të udhëtojë për shkak të një përjashtimi. Prova e vërtetë e një rehabilitimi do të ishte nëse Departamenti i Shtetit ndryshon ose revokon qartë qëndrimin e tij të vitit 2021. Deri atëherë, të pretendosh se një ëaiver është automatikisht rrëzimi i “non grata-s”, për mendimin tim, është më shumë interpretim politik sesa fakt juridik.

​-A besoni se Sali Berisha do të arrijë t’i forcojë realisht raportet me SHBA-në përmes kësaj vizite, apo Departamenti i Shtetit do të mbajë të paprekur qëndrimin e tij institucional ndaj tij sa i përket akuzave për korrupsion dhe minim të demokracisë, akuza këto që e futën atë në “listë të zezë” të DASH, duke e shpallur “non-grata” në vitin 2021?

Unë mendoj se kjo vizitë mund të ketë një vlerë politike për Sali Berishën, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos ngatërrojmë një mundësi konkrete udhëtimi dhe kontakti me një rehabilitim të plotë institucional nga Shtetet e Bashkuara. Nëse ai shkon në SHBA dhe merr pjesë në aktivitetet e International Democracy Union, padyshim që kjo i jep atij mundësinë të rikrijojë kontakte, të takojë personalitete politike dhe të provojë se, izolimi i tij nuk është absolut.

Kjo, politikisht, është një mundësi reale dhe nuk ka arsye të minimizohet. Por pyetja kryesore është tjetër: a ndryshon kjo automatikisht qëndrimin institucional të Departamentit të Shtetit ndaj tij? Për momentin, nuk kemi arsye të konkludojmë se po. Ka një dallim të madh midis marrëdhënieve që një politikan mund të ndërtojë me individë, parti apo organizata politike në SHBA dhe qëndrimit zyrtar të administratës amerikane.

Sali Berisha mund të forcojë marrëdhëniet me segmente të caktuara të së djathtës ndërkombëtare apo amerikane, por kjo nuk do të thotë automatikisht se, Departamenti i Shtetit ka ndryshuar vlerësimin institucional që çoi në dizenjimin e tij në vitin 2021.

Nëse kjo vizitë do të pasohet nga takime të rëndësishme institucionale, deklarata zyrtare, kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të administratës amerikane dhe, mbi të gjitha, nga një ndryshim i qartë i qëndrimit të Departamentit të Shtetit, atëherë mund të flasim për fillimin e një procesi real rehabilitimi politik, por nëse vizita kufizohet në një aktivitet politik ndërkombëtar, në takime partiake apo në kontakte me figura të caktuara politike, ndërkohë që qëndrimi institucional i DASH mbetet i pandryshuar, atëherë do të ishte e tepruar ta paraqisnim këtë si “rrëzimin e non grata-s”.

Gjithësesi unë besoj se, Sali Berisha do të përpiqet maksimalisht ta shfrytëzojë këtë vizitë për të rindërtuar ura me qarqe politike në SHBA. Kjo është normale dhe, nga pikëpamja e tij politike, është ndoshta objektivi kryesor i vizitës, por e përsëris se, rehabilitimi personal në planin politik dhe ndryshimi i një vendimi institucional janë dy procese të ndryshme.

Një politikan mund të takojë kongresmenë, senatorë, drejtues partish apo personalitete të ndryshme dhe kjo të ketë rëndësi të madhe politike, por një takim, sado i rëndësishëm të jetë, nuk e shfuqizon vetvetiu një qëndrim zyrtar të Departamentit të Shtetit. Njëkohësisht nuk do ta paragjykoja rezultatin e kësaj vizite. Mund të jetë fillimi i një hapjeje reale të Berishës drejt qarqeve të reja politike amerikane. Mundet gjithashtu që të krijojë kontakte që në të ardhmen të kenë rëndësi edhe për raportin e tij me Uashingtonin.

Në fund, mendoj se, koha do t’a sqarojë shumë shpejt këtë debat, sepse pas vizitës nuk do të mjaftojnë më deklaratat e mbështetësve apo kundërshtarëve të tij. Atëherë do të shihen faktet se, me kë u takua, në çfarë niveli u prit, çfarë marrëdhëniesh krijoi dhe, mbi të gjitha, nëse do të ketë apo jo ndonjë ndryshim në qëndrimin zyrtar të Departamentit të Shtetit.

Nëse kjo vizitë prodhon vetëm fotografi dhe deklarata politike, atëherë kemi të bëjmë vetëm me një fitore komunikimi. Nëse kjo vizitë do të prodhojë një ndryshim real në raportet institucionale me Uashingtonin, atëherë mund të flasim për një zhvillim politik shumë më të madh. Le të presim gjithësesi.

Intervistoi: Rigels Seliman