Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas përhapjes së një lajmi të pavërtetë, sipas të cilit një aktiviste e protestës u shoqërua në polici mbrëjen e së martës, pas një denoncimi të deputetes. Luarasi e cilëson këtë pretendim “fake news” dhe thotë se shoqërimi lidhej me një tjetër incident, konkretisht me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij.
“Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua”, shkruan Luarasi.
Ajo shton se deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që e kanë denigruar një ditë më parë, ndërsa akuzon disa media dhe faqe për manipulim. Sipas saj, përdorimi i fytyrës së saj mbi trupin e një gruaje tjetër përbën “poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje”.
“Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari”, përfundon Luarasi.
Reagimi i plotëi Luarasit:
FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.
Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.
Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari.

