Muli përgëzon Sanijen e Kombinatit për betejën me gratë e PS-së

Muli përgëzon Sanijen e Kombinatit për betejën me gratë e PS-së

Muli vendosi të thërrasë sot në selinë e PD-së një nga aktivistet më të shquara të protestës së Flamingove, që shoqet e kanë pagëzuar: “Sanija e Kombinatit”.

-Kush ka qenë Sanija? – i tha Lelo, – se nuk e njoh mirë këtë Tiranën para 2000-s.

-As unë s’e kam njohur Sanijen, – tha Muli, – por ka qenë një grua legjendare që u turrej njerëzve rrugëve. Ka qenë shumë e famshme deri vonë.

-Tani këtë Sanijen e Flamingove duhet ta respektojmë, – tha Muli.

-Po nuk është mirë të dalim hapur, – tha Lelo, – se pastaj do kompleksohen këta të Qorrit e fillojnë prapë “Berisha në burg”. Ia nxjerrin nga hundët dhe këtë lodhjen nëpër kafenetë e shqiptarëve në Amerikë.

-Sanija duhet nderuar. Aq të them unë, – i tha Muli.

-Po çfarë t’i bëjmë?

-Fillimisht Sanija ka nevojë për lëndë të parë. Ne duhet t’i japim një listë me socialistë që duhet të linçojë përditë.

Për secilin duhet ta udhëzojmë dhe çfarë t’i thotë. Kë të shajë nga gruaja, kë nga burri, kë nga fëmijët. Sanija e bën, se nuk do as burrë, as grua, as fëmijë.

T’u thotë njëmijë të zeza që i vijnë në mendje.

-Vetëm t’i themi mos ta thotë atë parullën idiote “ti nuk më përfaqëson”, se tani nuk do gjejmë dot dhe përfaqësues të Sanijes në Kuvend.

-S’ka problem, le ta thotë, – tha Muli. – Se duket sikur ka shumë Sanije në vend dhe tremben.

-Po të bëjë sikur sulmon dhe ndonjë nga PD-ja, – tha Lelo, – se zbulohet që e kemi vënë ne.

-Patjetër, – tha Muli. – Këta që bëjnë si intelektualë të pavarur do t’ua shikojmë sjelljet dhe do t’i ndëshkojmë. Sa herë ta teprojnë, u lëshojmë Sanijen.

-Kështu po, – tha Lelo. – Se dhe Sanija ndihet e balancuar dhe ne bëjmë punën tonë.