Zv.presidenti amerikan JD Vance ka sulmuar BE-në, duke e akuzuar për ndërhyrje të hapur në zgjedhjet e ardhshme të Hungarisë. Këtë deklaratë ai e bëri të martën, gjatë udhëtimit të tij në Budapest për të “ndihmuar” Viktor Orbán-in, të fitojë zgjedhjes së dielës.
Gjatë konferencës me gazetarët, toni i Vance ishte konfrontues, teksa ai pretendoi se BE-ja ishte përgjegjëse për “një nga shembujt më të këqij të ndërhyrjes së huaj në zgjedhje” që kishte parë ndonjëherë.
“Burokratët në Bruksel kanë provuar të shkatërrojnë ekonominë e Hungarisë,” tha ai. Duke u drejtuar më pas nga Orbán, shtoi: “Ata kanë provuar ta bëjnë Hungarinë më pak të pavarur energjetikisht. Ata kanë provuar të rrisin kostot për konsumatorët hungarezë. Dhe i kanë bërë të gjitha sepse e urrejnë këtë njeri.”
Megjithatë, Vance nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur arsyen pse kishte mbërritur në vend pesë ditë para zgjedhjeve të nxehta, ku Orbán përballet me mundësinë e rrëzimit pas 16 vitesh në pushtet.
“Sigurisht, dua të ndihmoj sa më shumë që mundem kryeministrin teksa përballet me këtë sezon zgjedhor,” tha Vance.
Më vonë, në një tubim elektoral me Orbán, Vance telefonoi presidentin Donald Trump, duke vendosur telefonin në altoparlant pranë mikrofonit, ndërsa presidenti amerikan dha një mbështetje të fuqishme për kryeministrin hungarez.
“E dua Hungarinë dhe e dua atë, Viktor-in,” tha Trump përpara turmës që brohoriste. “Ai ka bërë një punë fantastike.”
Hungarezët do të votojnë të dielën në zgjedhjet parlamentare vendimtare, ku Orbán përballet me një sfidë të paprecedentë nga Péter Magyar, ish-anëtar i lartë i partisë në pushtet Fidesz.
Zgjedhjet kanë vënë përballë dy vizione të ndryshme për të ardhmen e Hungarisë: Orbán dhe Fidesz përpiqen të bindin votuesit se lufta në Ukrainë paraqet një kërcënim të madh për vendin dhe se Orbán është më i përshtatshmi për ta menaxhuar këtë rrezik, ndërsa Magyar dhe partia e tij Tisza u bëjnë thirrje votuesve të fokusohen te problemet e brendshme si stanjacioni ekonomik, dobësimi i shërbimeve sociale dhe korrupsioni.

