“Kurti 4” pa urime: Këtë herë mungoi edhe Sali Berisha

“Kurti 4” pa urime: Këtë herë mungoi edhe Sali Berisha

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër për herë të katërt, por lajmi duket se nuk ka kaluar kufijtë e sallës së Kuvendit.

Pas votimit të Qeverisë “Kurti 4”, deri më tani nuk është bërë publik asnjë urim nga ndonjë lider i rëndësishëm ndërkombëtar.

Asnjë mesazh nga Uashingtoni. Asnjë urim nga Brukseli. Heshtje edhe nga Tirana dhe kryeqytetet e tjera evropiane.

Në mandatin e kaluar, Kurtit i kishte dalë në ndihmë së paku Sali Berisha, duke e uruar për zgjedhjen e tij.

Këtë herë, megjithatë, ka heshtur edhe Berisha.

Kurti u votua në një sallë ku ndodheshin deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të Listës Serbe.

Partitë e tjera shqiptare nuk morën pjesë, ndërsa opozita e ka cilësuar procesin jokushtetues dhe ka paralajmëruar adresim në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri i rizgjedhur përsëriti premtimet për infrastrukturë, arsim dhe diplomaci. Megjithatë, diplomacia e Qeverisë së re nisi pa asnjë telegram urimi.

Në raste të zakonshme, partitë qeverisëse publikojnë menjëherë mesazhet e liderëve të huaj, duke i paraqitur si dëshmi të mbështetjes ndërkombëtare.

Kësaj radhe, nuk pati çfarë të publikohej. /Nacionale