Dy ditë më parë, TemA publikoi një artikull se gjatë seancës pyetje-përgjigje në rrjetet sociale, binte në sy fakti që kreu i PD, Sali Berisha ndiqej nga vetëm 64 vetë.
Kjo me sa duket nuk i ka pëlqyer Berishës, i cili sot, në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve në selinë e PD, paralajmëroi të gjithë demokratët se do t’u bëhej një vetting i rrjeteve sociale.
“Ne duhet të jemi sa më aktivë në statuse, edhe duke bërë share njëri-tjetrin, duke marrë materiale, e duke postuar artikuj. Rrjetet tona nuk mund të jenë kurrë rrjete të fjetura. Eshtë absolutisht e pafalshme. Që të jemi të hapur, përdorimi i rrjeteve sociale do të kontrollohen, i përdorni apo s’i përdorni. Për atë që drejton dhe ka një post, ai është detyrim. Përndryshe, të rrijë i heshtur.
Siç do vlerësohen parametrat e tjerë, kjo do të jetë një nga parametrat që do vlerësohen. Statuset tona janë çështje e guximit tonë. Unë guxoj dhe i them të vërtetat, marr artikuj i publikoj në Facebook, 3 vetë e shohin, mirë, 3 vetë, 5 vetë-5 vetë”, tha Berisha.
Për demokratët tani vlen ajo shprehja e famshme e Xhorxh Oruellit në romanin “1984”: “Kryetari i Madh po ju vështron”.

