HomeBlog

AKSHI, grup ku niseshin e-mailet e “qepjes” se tenderave, rrëfimi në SPAK i Emirton Sulit

AKSHI, grup ku niseshin e-mailet e “qepjes” se tenderave, rrëfimi në SPAK i Emirton Sulit

Nga Elton Qyno

Emirton Suli, një përgjegjës sektori në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit,(AKSHI) është thirrur në SPAK, dhe ka dhënë shpjegime në datën 10 janar 2026, duke treguar atë që ndodhte me paracaktimin e tenderave brenda zyrave të këtij institucioni.

Ai ka shërbyer si përgjegjës pranë Drejtorisë së Agjendës Digjitale, por tashmë është kthyer një nga dëshmitarët kryesorë të SPAK në dosjen penale nr.20/1 që flet për abuzimet me tenderat e AKSHI-t, në të cilët ai disa herë ka qenë kryetar i Njësisë së Prokurimit dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Suli, është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, por hetimet e kryera nga SPAK, tregojnë se ai është implikuar në këto procedura duke ngritur dyshime të arsyeshme se ai së bashku me zyrtarë të tjerë të AKSHI, përfshirë dhe Daniel Shimën, kanë “Shpërdoruar detyrën” dhe kryer “Shkelje të pabarazisë në tendera dhe ankande publike”.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se pyetja e Emirton Sulit është realizuar në ambientet e SPAK në 10 Janar 2026, duke tregur të gjithë dinamikën e “qepjes” së letrave për të paracaktuar kompanitë fituese në tenderat e AKSHI-t.

Suli ka shpjeguar se dhe vetë kallëzuesi i kësaj çështje, Gerond Meçe, ka qenë një ndër “lojtarët” kryesorë të paracaktimit të tenderave në AKSHI, duke bashkëpunuar në disa praktika me Daniel Shimën dhe biznesmenin tjetër, Ermal Beqirin.

Zyrtari i AKSHI-t, ka deklaruar ndër të tjera se në procedurën e prokurimit “Përmirësimi dhe Integrimi i Sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, Personat me aftësi të Kufizuara dhe Shërbimi Social”, rezulton se termat e referencës, kriteret dhe ftesat për ofertë kanë ardhur të parapërgatitura nga Drejtoria e Projekteve, konkretisht nga Klea Korça.

Sipas tij, kjo e fundit është caktuar me urdhrin e titullares së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke mbetur vetëm nënshkrimi nga ana e grupit të punës.

Suli, ka rrëfyer në SPAK se zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, kishte krijuar një adresë E-maili [email protected], nga i cili niseshin në E-mailiet e grupit të punës të gjitha dokumentat gati për projektet e prokurimit publik dhe se kjo gjë ishte bërë nga ai qëllimisht që të mos identitikohej, se cili subjekt i niste këto E-maile dhe përgatiste këto dokumente.

Para oficerëve të BKH-së, Emirton Suli, ka identifikon edhe një shtetase të quajtur, Rega Kaja, e cila përgatiste dokumentacionin, i cili përgatitej nga një grup pune i ngritur posaçërisht për këtë çështje.

Përgjegjësi i sektorit në AKSH, ka treguar se nga kjo procedurë kuptohej paraprakisht se ishte ndërtuar në atë mënyrë që të përfitohej nga shoqëria “Image & Communication Development”, me zotërues Igli Gjelishti, duke shtuar më tej se ofertë të paftuar kishte paraqitur në “AKSHI” dhe shoqëria “ABS” e Gerond Meçes.

“…Gerond Meçe ishte futur me një shumë financiare prej 20 për qind më të ulët, gjë e cila kuptohej se ishte jashtë paraplanifikimit, pasi diferenca e fondit limit me ofertën është zakonisht maksimumi 7 për qind dhe se në këtë rast ishte ndjeshëm më e madhe…”-ka treguar Emirton Suli.

Kjo gjë, sipas tij, diktonte dhe detyronte që autoriteti kontraktor të shpallte fitues shoqërinë “ABS”, por se ky fakt nuk duhet të ndodhte, pasi procedurat ishin të paracaktuara dhe duhet të anulohej tenderi dhe më pas rihapej sërish me qëllim dhënien e kompanisë që ishte paracaktuar.

Sipas dëshmisë së këtij zyrtari të AKSHI, po të shikohet dokumentacioni rezulton se ka artifica ligjore, të cilat e kanë detyruar AKSHI-n të anulohet procedura tenderuese, vetëm që të mos lidhej kontratë me këtë operator “ABS”, edhe pse në një tender tjetër e kishin shpallur në muajin mars fitues “ABS”, duke gjetur si shkak çështjen e “CSI” si të vlefshme.

Ai tregon më tej se, pas anulimit të prokurimit. AKSHI i bëri një shkresë AKSIK, që të listoheshin operatorët ekonomikë që ishin të pajisur me “CSI” të vlefshme.

Ndër të tjera Emirton Suli tregon se kur ka ardhur përgjigjja, Helena Çupi, i ka treguar se nuk ka asgjë në të për ”CSI” dhe “CSP” dhe se nuk jepte arsye për të anuluar tenderin dhe se e pyeti atë se ku mund të bazohej për ta anuluar procedure, duke qenë se deri në lidhjen e kontratës autoriteti kontraktor e kishte të drejtën që të anulonte prokurimin nëse konstatonte se nuk plotësonte shoqëria fituese kriteret.

Nga ana tjetër Suli ka rrëfyer në SPAK se kriteri i pajisjes me “CSP” të operatorëve ekonomik tek kriteret e veçanta e ka futur, Daniel Shima, në kohën kur ai ishte zv/drejtor, edhe pse nuk vinte në punë fizikisht, duke shtuar se në këtë kohë kanë patur një numër ankesash nga shoqëria “Kreatx” e Panajot Gjiknurit, duke u bllokuar një numër i madh procedurash.

Ndër të tjera Suli, ka shpjeguar se ky operator ankohej sepse nuk kishte mundësi të fitonte procedura prokurimi, duke qenë se Daniel Shima, bashkëpunonte me biznesmenin Gerond Meçen dhe me Ermal Beqirin dhe se Shima e dinte që shoqëria “Kreatx” nuk kishte “CSP”.

Qëllimisht, që ta përjashtonte “Kreatx” nga garat e prokurimit pranë AKSHI-t, krijoi këtë kriter si kusht për pjesëmarrje në prokurime, duke e shmangur më tej edhe nga ankimet dhe nga bllokimi i procedurave.

Ai shpjegon se ky kriter nuk u hoq, pasi të gjithë operatorët ekonomikë kishin marrëdhënie të mira me AKSHI-n dhe se e dispononin këtë certifikatë.