HomeBota

Demokratët kërkojnë hetim për Jared Kushner?! Akuza për konflikt interesi mes biznesit me fondet saudite dhe rolit si negociator i qeverisë amerikane! Shanset zero për ta hetuar, nuk mban asnjë post zyrtar qeveritar

Demokratët kërkojnë hetim për Jared  Kushner?! Akuza për konflikt interesi mes biznesit me fondet saudite dhe rolit si negociator i qeverisë amerikane! Shanset zero për ta hetuar, nuk mban asnjë post zyrtar qeveritar

Demokratët e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë hapur një hetim ndaj Jared Kushner, 45 vjeç, dhëndrit të presidentit Donald Trump dhe një figurë e pazakontë në qeverinë amerikane, për konflikte të mundshme interesi mes aktivitetit të tij si financier dhe rolit si i dërguar special i administratës amerikane, detyrë që e ushtron pa qenë pjesë formale e qeverisë. Deputeti Jamie Raskin i ka dërguar një letër Kushnerit duke theksuar se roli i tij në menaxhimin e kompanisë së investimeve Affinity Partners, e themeluar prej tij në Florida katër vite më parë, dhe aktiviteti diplomatik “po ndikojnë politikën e jashtme amerikane që kur presidenti Trump është rikthyer” në Shtëpinë e Bardhë.

Paratë saudite

“Nuk mund të jesh njëkohësisht diplomat dhe një instrument financiar i monarkisë saudite”, ka shkruar Raskin, duke iu referuar dy miliardë dollarëve që fondet saudite kanë investuar në kompaninë e Kushnerit vitin e kaluar. Affinity, për më tepër, financohet edhe nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të përfshira në krizën në Lindjen e Mesme.

“Klientët e tu, Arabia Saudite dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman — ka shtuar demokrati — kanë interesa strategjike, ekonomike dhe politike të rëndësishme, të destinuara të bien ndesh ndjeshëm me ato të popullit amerikan”. Raskin e ka pyetur dhëndrin e presidentit nëse “përfaqëson 100 për qind interesat e partnerëve të tij tregtarë në Arabinë Saudite dhe në autokracitë e tjera të naftës në Gjirin Persik apo përfaqëson 100 për qind interesat e popullit amerikan”.

Një rol i fuqishëm, por informal

Megjithatë, dhëndri i presidentit nuk mban asnjë post zyrtar qeveritar, edhe pse ushtron rolin e ndërmjetësit të paqes si në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ashtu edhe në krizën me Iranin. Ky fakt i lejon atij të mos japë llogari para Kongresit për interesat e tij financiare. Republikanët kanë shmangur trajtimin e kësaj çështjeje.

Në letër, Raskin i ka kërkuar Kushnerit të ofrojë të gjitha informacionet, përfshirë marrëdhëniet e tij tregtare, komunikimet e zhvilluara në emër të administratës dhe të dhënat e kompanisë së tij të investimeve. Është e pamundur që Kushner të bashkëpunojë, sidomos duke qenë se demokratët nuk kanë shumicën në Kongres dhe republikanët janë nën kontrollin e presidentit. Por në nëntor, kur do të zhvillohen zgjedhjet për rinovimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, situata mund të ndryshojë. Dhe atëherë, në vitin 2027, me shumicat e reja, demokratët mund ta detyrojnë Kushnerin të paraqitet para komisionit për të dëshmuar nën betim./ La Repubblica