Nga Paolo Mastrolilli
Kur iranianët kishin arritur të rrëzonin një avion luftarak amerikan, Donald Trump kishte urdhëruar menjëherë ushtrinë të shkonte për të shpëtuar pilotin e zhdukur. “Këshilltarët e kishin mbajtur presidentin jashtë dhomës ku merrnin përditësime minutë pas minute mbi operacionin, sepse mendonin se padurimi i tij nuk do të ndihmonte.”
Kështu shkruan Wall Street Journal, në një prapaskenë mbi ditët më të vështira të luftës, me titull “Pas trimërisë publike të Trump për luftën, ai përballet me frikërat e veta”. Pra, pas vetëbesimit që kreu i Shtëpisë së Bardhë shfaq çdo ditë në përballjen me ajatollahët, fshihen në fakt frikërat e tij. Para së gjithash, ajo për të mos dalë nga konflikti me diçka që mund ta paraqesë si fitore, duke hapur përkundrazi rrugën për një humbje elektorale në zgjedhjet e ndërmjetme në nëntor, gjë që shqetëson këshilltarët e tij më të afërt.
Ndërtimi i ngjarjeve nga gazeta financiare e Manhatanit zbulon anën më pak publike dhe më pak të njohur të presidentit, duke ushqyer dyshimet për aftësinë e tij për të menaxhuar krizën. Mbrëmjen e së Premtes së Madhe, pasi mësoi për avionin e rrëzuar, “u kishte bërtitur për orë të tëra vartësve të tij.” Ai ishte ankuar për evropianët që nuk e ndihmonin, për çmimin e benzinës që ishte rritur mesatarisht mbi 4 dollarë galoni, dhe për frikën se mos përsëriste dështimin e Jimmy Carter gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979, në fillim të revolucionit khomeinist: “Çfarë rrëmuje!”
Kur të shtunën piloti i zhdukur u shpëtua, Trump kishte shkuar në shtrat pas orës dy të mëngjesit, por gjashtë orë më vonë ishte rikthyer në rrjetet sociale, me mesazhin e famshëm ku u kërkonte “budallenjve të çmendur” iranianë të rihapnin “Ngushticën e mallkuar, përndryshe do të jetoni në ferr”. Me dorën e tij kishte shtuar edhe një lutje drejtuar Allahut, “për t’u dukur sa më i paqëndrueshëm dhe fyes i mundshëm, me bindjen se kjo do t’i sillte kundërshtarët në tryezën e negociatave”. Më pas kishte pyetur bashkëpunëtorët: “Si po funksionon?”. Jo mirë. Prandaj të martën kishte publikuar një tjetër mesazh, ku kërcënonte se do të shkatërronte brenda një nate “një qytetërim të tërë”, nëse Republika Islamike nuk do të pranonte paqen sipas kushteve të tij. As 90 minuta më vonë kishte shpallur armëpushimin e brishtë që tani do të jetë në lojë gjatë negociatave në Islamabad, nëse ato zhvillohen siç shpreson ai dhe çojnë në marrëveshjen që kërkon.
Veçantia e Trump nuk është e re dhe nuk habit, por në këtë rast shkon përtej tipareve karakteriale. Pas kësaj paqëndrueshmërie qëndron këtë herë frika e dështimit. Rreziku që lufta të përfundojë në një katastrofë si ajo e Carter në vitin 1979, dhe për rrjedhojë nevoja për ta mbyllur shpejt, përpara se të bëhet vula e presidencës së tij. Baza MAGA e kishte zgjedhur edhe për premtimin për t’i dhënë fund konflikteve të pafundme, sidomos në Lindjen e Mesme, dhe nuk ka qenë kurrë plotësisht e bindur për “aventurën” iraniane. Megjithatë, efektet po ndihen në xhepat e të gjithë amerikanëve, dhe kur ndodh kjo zakonisht mbahet mend në kutitë e votimit. Nuk është rastësi që “zonja e hekurt” Susie Wiles, shefja e fuqishme e stafit në Shtëpinë e Bardhë, prej ditësh po zhvillon mbledhje emergjente me bashkëpunëtorë, operativë dhe mbështetës të Partisë Republikane, për të shmangur kolapsin në zgjedhjet e mesmandatit.
Deri tani narrativa mbizotëruese e tregonte të humbur Dhomën e Përfaqësuesve, por sipas Neë York Times tani edhe Senati mund të vihet në rrezik. Nuk është e lehtë, sepse për ta marrë atë demokratët duhet të mbajnë të gjitha 13 vendet e tyre në garë, përfshirë ato më të lëkundurat si Michigan dhe Georgia, dhe të fitojnë të paktën katër të vendeve të republikanëve, ku Maine duket i arritshëm, ndërsa North Carolina, Ohio dhe Alaska mbeten më të vështira. Megjithatë, në prapaskenë kjo mundësi diskutohet, duke shqetësuar mbështetësit e Trump.
Humbja edhe vetëm e Dhomës do të kishte një efekt të trefishtë shkatërrues: do të shuante ambicien e Trump për një mandat të tretë; do të paralizonte axhendën e tij legjislative duke i lënë vetëm dekretet; dhe do t’u jepte demokratëve mundësinë të nisin hetime të shumta ndaj administratës, të cilat edhe pa një shkarkim të tretë do ta destabilizonin atë.
Në përpjekje për të rifituar mbështetje, pas përplasjes së papritur me Papa Leonen XIV, sonte në orën 6 pasdite presidenti do të marrë pjesë në aktivitetin “America Reads The Bible”. Ai do të lexojë këtë frazë: “Nëse populli im, mbi të cilin është thirrur emri im, përkulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe largohet nga rrugët e tij të këqija, unë do të dëgjoj nga qielli, do ta fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj tokën e tij.”/La Repubblica

