Gjykata e Posaçme ka hequr masën e sekuestros për disa pasuri të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimit, duke dhënë si argument “mosplotësimin e kushteve ligjore për vazhdimin e saj mbi pasuritë objekt të këtij gjykimi.”
Konkretisht, janë hequr nga sekuestroja ½ e një karburanti në Lungomaren e Vlorës, një truall me sipërfaqe 2,400 m² në Jonufër dhe një pikë tjetër karburanti në ‘Transballkaniken’ e Vlorës.
Këto dy të fundit janë të regjistruara në emër të një personi tjetër, Kujtim Selimit
Tashmë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara do të njoftojë palët dhe do të ekzekutojë vendimin pas 15 ditëve.
Pasuritë e Selimit u sekuestruan në vitin 2021 nga SPAK që nga hetimi penal zbuloi të dhëna që 3 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetutese dhe asaj të Lartë, kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme.
Më pas, në tetor 2022, SPAK e dërgoi çështjen në gjykatë duke e akuzuar Selimin për deklarim të rremë pasurie. Në 2025, Gjykata e shpalli ish-gjyqtarin të pafajshëm ndërsa Prokuroria e Posaçme e ankimoi çështjen në Apelin e GJKKO që la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar. Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, megjithëse shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme për pasurinë e saj.
Mirëpo Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ konkludoi se gjyqtari Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga institucionet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk është informuar gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit administrativ të çështjes së tij lidhur me akuzat që i’u ngritën. Po ashtu, GJEDNJ konkludon se Selimit nuk iu dha një mundësi e mjaftueshme për t’i kundërshtuar gjetjet për figurën.
Në përfundim, GJEDNJ ka vendosur të shpalli të pranueshme ankesat në lidhje me të drejtat e ankuesit për një seancë të drejtë dëgjimore dhe për respektimin e jetës private; se ka pasur shkelje të nenit 6 të Konventës ndërkohë që ka çmuar se nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 8 të Konventës. Po ashtu, është vendosur se konstatimi i një shkeljeje përbën në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo-material të pësuar nga ankuesi dhe se shteti duhet ti paguajë atij shumën 6500 euro brenda tre muajve pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe çdo taksë që mund t’i ngarkohet në lidhje me kostot dhe shpenzimet. Në përfundim, GJEDNJ ka rrëzuar pjesën tjetër të kërkesës së Selimit për shpërblim të drejtë në vlerën 150 mijë euro.
Ndaj Selimit filloi dhe një proces penal nga Struktura e Posaçme për fshehje pasurie, por pas disa vitesh hetim e gjykim, më 7 korrik ai u deklarua i pafajshëm

