Vlora Hyseni nuk është rasti i parë, Altin Dumani hetoi dhe ngriti akuzë ndaj ish-shefit të SHISH Fatos Klosi, por…

Vlora Hyseni nuk është rasti i parë, Altin Dumani hetoi dhe ngriti akuzë ndaj ish-shefit të SHISH Fatos Klosi, por…

Gazetari Elton Qyno ka risjellë një detaj interesant lidhur me hetimin ndaj Vlora Hysenit dhe prokurorit të dosjes, Altin Dumani.

Ai tha në Top Story se Altin Dumani, prokuror i SPAK, nuk po përballet për herë të parë me një drejtues të Shërbimit Informativ të Shtetit. Përpara dosjes ndaj Vlora Hysenit, Dumani ka pasur një përballje edhe me ish-drejtuesin e SHISH, Fatos Klosin.

“Ish-shefin e SHISH, Fatos Klosin e ka hetuar dhe më pas dërguar në gjyq, Altin Dumani, për ironi. Klosi ka marrë pafajësi nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës për 15 tendera. Vijmë sërish tek Altin Dumani por kësaj here me Vlora Hysenin, drejtuesen e SHISH”, tha gazetari Elton Qyno në Top Story.

Dy çështjet janë të ndryshme, por kanë si pikë të përbashkët përfshirjen e drejtimit të SHISH-it në procese hetimore të ndjekura nga Dumani.

Në vitin 2003, kur ishte prokuror në Tiranë, Dumani hetoi ish-drejtorin e SHISH-it, Fatos Klosi, për shpërdorim detyre lidhur me administrimin e fondeve të institucionit.

Çështja përfundoi në gjykatë, ku Prokuroria kërkoi dënimin e Klosit me 1 milion lekë gjobë. Por një vit më vonë, Gjykata e Tiranës e shpalli Klosin të pafajshëm.

Më shumë se dy dekada më vonë, emri i Dumanit rikthehet në një çështje që prek drejtimin e SHISH-it.

Vlora Hyseni, tashmë ish-drejtuese SHISH akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

Emri i Vlora Hysenit u qarkua nga prokurorët gjatë analizimit të të dhënave e siguruara nga hetimit i dosjes “AKSHI”, duke ngritur dyshime për favorizime prej Hysenit të biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar një muaj më parë.

Për llogari të të njëjtit hetim, urdhër të GJKKO, mëngjesin e së martës u ushtruan kontrolle në disa ambiente ne Tiranë e Durrës, përfshirë banesën e Ilir Prodës, ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit. Përveç kontrollit, Proda dha deklarime për gati 2 orë në SPAK, godinë nga e cila doli në një gjendje emocionale jo shumë të qetë.

Veç masës ndaj Hysenit dhe kontrollit të Prodës, gjykata urdhëroi arrestimin e shefit të Laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani. Ata dyshohet se kanë dëmtuar disa pamje filmike në të cilat shfaqej biznesmeni Agasi gjatë qëndrimit në arrati.