Asambleja e OKB, Vuçiç falënderon shtetet që nuk njohin Kosovën: E dimë që ju kanë bërë presion! Sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha

Asambleja e OKB, Vuçiç falënderon shtetet që nuk njohin Kosovën: E dimë që ju kanë bërë presion! Sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, falënderoi shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai ka pretenduar se ka pasur presion ndaj tyre për të ndërruar qëndrim, por ato kanë qëndruar konsistente.

“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit…Faleminderit që keni qenë konsistente. Që nuk e keni njohur pavarësinë e një pjese të territorit të Serbisë”, tha Vuçiç.

Në fjalimin e tij Vuçiçi kritikoi sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999.

“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu foli për Marrëveshjen e Brukselit duke i këshilluar shtetet e tjera të tregojnë kujdes kur nënshkruajnë me fuqitë e mëdha.

“Dua t’ju paralajmëroj të gjithëve këtu, bëjini sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha. Kështu nënshkruam marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, duke tentuar të zgjidhim problemet mes serbëve e shqiptarëve nëpërmjet kompromisit. Gjitha obligimet e ndërmarra nga Serbia janë plotësuar. E vetmja që është dashur të plotësohet nga shqiptarët, Asociacioni i Komunave Serbe, nuk është bërë deri tani. Është interesante që marrëveshja është bërë në prezencë të BE-së, por edhe është konfirmuar me nënshkrim nga BE-ja”, tha Vuçiç.