HomeAktualitet

Fundi i kaosit në Sarandë: Terminali i ri synon të lehtësojë trafikun dhe transportin e udhëtarëve

Fundi i kaosit në Sarandë: Terminali i ri synon të lehtësojë trafikun dhe transportin e udhëtarëve

Terminali i autobusave interurban pritet të inaugurohet në javët në vazhdim në Sarandë.
Projekti me vlerë mbi 573 milion lekë është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili synon të zgjidhë njëherë e përgjithmonë kaosin e transportit publik në qytetin bregdetar.
Për këtë qëllim terminali është ndërtuar në hyrje të qytetit.

“Hapja e terminalit për mua është një gjë shumë pozitive, e para do t’u shërbejë më mirë qytetarëve për këtë transport dhe do të lehtësojë dhe punën tonë si subjekt që merremi me transportin e udhëtarëve. Ne dy gjëra duhet të ketë kujdes bashkia, e para që të ketë akses të lëvizjes së qytetarëve deri në terminal sepse është në dalje të qytetit”, shprehet një qytetar,

Për qytetarët zhvendosja e autobusave interurban nga qendra e qytetit drejt terminalit në Qafë Gjashtë shihet si lëvizje pozitive, por nuk e fshehin shqetësimin e mungesës së një linje urbane.

“Unë kam mendimin që atje të ketë autobusë urban që të vijë popullsia në Sarandë, ja ne presim të shkojmë në fshat se me këmbë nuk ecim dot, edhe taksinë e kemi paguar, por taksia është e shtrenjtë, rrinë ata radhë por ne ikim me fugona që e kanë biletën më lirë”, shton një tjetër.

“Detyrimisht do të jetë një gjë e mirë përderisa e kanë menduar kështu, lehtësohet edhe qarkullimi i autobusave këtu brenda për brenda. Për lëvizjen e popullsisë ka fugona, ka taksira, që i çojnë te terminali, gjë e mirë do të jetë”, tha për ABC News, një qytetar tjetër.

Nga ana tjetër, për taksixhinjtë terminali në hyrje të qytetit është një lajm i mirë, ndërsa përfaqësuesi i sindikatës së tyre thotë se me inaugurimin e terminalit presin të kenë më shumë punë.

“Do funksionojë në të mirën e qytetarëve të Sarandës, dhe për turizmin, të shkojnë në terminal gjithë autobusët e linjave dhe taksitë kanë përparësi për punë akoma më të mirë, se në një qytet turistik autobusët nuk lejohen. Shpresojmë të hapet nga data 1 deri në 15 maj”, u shpreh Arben Abazaj, përfaqësues i sindikatës së taksive.

Në terren i është dhënë dora e fundit e punimeve, për të zgjidhur një nga problemet madhore që shoqërojnë Sarandën gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm.