Tryeza e thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me aleatët opozitarë për reformën territoriale u shoqërua me debate dhe kritika për mënyrën se si është zhvilluar deri tani procesi. Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, i kërkoi Berishës një përfshirje më të madhe të partive aleate, duke pretenduar se ato janë mbajtur jashtë konsultimeve për hartën e re territoriale.
Ndoka kritikoi veçanërisht vendimin e opozitës për t’u përfshirë që në fazat e para në komisionet parlamentare, ndërsa tha se aleatët nuk kishin marrë informacion për procesin dhe nuk ishin bërë pjesë e dëgjesave të zhvilluara me mazhorancën.
“Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare”, deklaroi Ndoka.
Kreu i demokristianëve pati kritika edhe për propozimin e PD-së për hartën e re territoriale. Demokratët kanë hedhur në diskutim një variant me 100 bashki, por Ndoka e cilësoi këtë numër të pamjaftueshëm dhe kërkoi një numër më të madh njësish vendore.
“Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është eficient, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti”, tha ai.
Ndoka i kërkoi Berishës që konsultimi me aleatët të nisë më herët dhe të jetë më gjithëpërfshirës. “Mirë do ishte që këto tryeza të ishin bërë më parë. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ”, i tha ai Berishës.

