Rama takohet me studentët: Dialog inkurajues, ishim dakord për disa shqetësime të tyre

Rama takohet me studentët: Dialog inkurajues, ishim dakord për disa shqetësime të tyre

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me një grup studentësh, në një kohë kur protestat studentore vijojnë prej disa javësh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar bisedën si një “dialog inkurajues”, duke theksuar se studentët që takoi janë ata që besojnë te protesta dhe jo te përdorimi i gurëve.

Kreu i qeverisë thotë se gjatë diskutimit ka gjetur dakordësi me studentët për disa prej shqetësimeve të ngritura prej tyre.

“Dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët dhe që ‘çuditërisht’ më gjetën dakord në jo pak nga shqetësimet e tyre”, shkruan Rama.

Në fund të postimit, kryeministri ka lënë të hapur mundësinë e vijimit të komunikimit, duke shtuar shprehjen: “To be continued…”.

Rama nuk ka dhënë detaje se cilët studentë morën pjesë në takim dhe cilat ishin konkretisht çështjet për të cilat u gjet dakordësi.