Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këtë evidenton raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar këtë të martë në komisionin e jashtëm me 58 vota pro. Raportuesi për vendin tonë Andrea Schieder tha se ambicia për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës është më se realiste.
“Shkurtimisht, dua së pari të falënderoj të gjithë raportuesit në hije për negociatat shumë efikase, konstruktive dhe të suksesshme. Së dyti, dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet gjithashtu nga Komisioneri ynë si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera—konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe veçanërisht, jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri”, tha Schieder.
Raporti vlerëson procesin e negociatave, ndërsa Shqipëria cilësohet si “Kampione” për hapat drejt integrimit. Në raportin e përpiluar prej tij Brukseli apelon që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike. Nevoja për ndërhyrje urgjente shihet në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ndonëse vlerësohet puna e bërë deri më tani nga SPAK.
“Pavarësisht progresit të arritur, Shqipëria ende përballet me disa sfida, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit. Cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin kohor të anëtarësimit. Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thuhet në raport.
Sinjal pozitiv për Shqipërinë e ka cilësuar këtë raport ministri i Jashtëm Ferit Hoxha i cili nga Shkodra thotë se vendi ynë është pararojë në procesin e integrimit evropian.
Thirrja për partitë politike vijon të mbetet për më shumë dialog e bashkëpunim për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë thuhet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE për këtë reformë.
Shqetësim kryesor mbetet mungesa e barazisë së kushteve në zgjedhje, keqpërdorimi i burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presion ndaj votuesve.
Raporti i hartuar nga Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, mori 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime dhe më pas do t’i kalojë për miratim seancës plenare.
Kliko këtu për të lexuar raportin e plote

