Akuzat për sjellje jodiplomatike, Trump dhe Rubio shqyrtojnë shkarkimin e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores në Greqi

Akuzat për sjellje jodiplomatike, Trump dhe Rubio shqyrtojnë shkarkimin e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores në Greqi

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas akuzave për veprime të papërshtatshme dhe shkelje të mundshme të ligjit.

Lajmi raportohet nga Associated Press, e cila citon një zyrtar të lartë amerikan.

Sipas agjencisë amerikane, çështja ka shkaktuar pakënaqësi të fortë në nivelet më të larta të administratës Trump. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se presidenti dhe sekretari i shtetit janë “jashtëzakonisht të zemëruar” për informacionet e bëra publike lidhur me ambasadoren dhe se një vendim për hapat e mëtejshëm mund të merret brenda kësaj jave.

Marco Rubio raportohet të jetë veçanërisht i pakënaqur me situatën. Pakënaqësia e tij thuhet se është shtuar edhe pas vizitës së fundit në Athinë, ku Guilfoyle e priti me një përqafim të ngrohtë dhe e shoqëroi në shumicën e aktiviteteve të tij publike, në një kohë kur akuzat ndaj saj ishin tashmë në vëmendjen e publikut.

Sipas Associated Press, diskutimet për të ardhmen e ambasadores lidhen me një seri artikujsh të publikuar nga The Wall Street Journal, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi praktikat e saj dhe përputhshmërinë e tyre me rregullat e etikës, si dhe kanë evidentuar dyshime për shkelje të mundshme ligjore.

Administrata amerikane po shqyrton mundësitë e saj, ndërsa vendimi për të ardhmen e Kimberly Guilfoyle në krye të përfaqësisë diplomatike amerikane në Athinë pritet të qartësohet në ditët në vijim.