“Vate” Vlora… na e morën çifutët!

“Vate” Vlora… na e morën çifutët!

Nga Marenglen Kasmi
Frika se mos na shesin Shqipërinë është pothuajse po aq e vjetër sa vetë shteti shqiptar. Nga vitet e turbullta pas shpalljes së Pavarësisë ka mbetur një anekdotë që i atribuohet Esat Pashë Toptanit.

Thuhet se një ditë, një grup fshatarësh të Shqipërisë së Mesme shkuan ta takonin, të shqetësuar nga thashethemet se pashai kishte ndër mend t’i shiste. Më i moshuari prej tyre mori guximin dhe e pyeti: «Pasha, kemi dëgjuar se do të na shesësh. A është e vërtetë?»

Sipas rrëfimit, Esat Pasha u përgjigj duke qeshur: «Rrini rehat, or dreqër, se edhe po të dua unë t’ju shes, nuk ju blen njeri!»

Nuk e di nëse Edi Rama, batutaxhi i lindur, do të gjente një përgjigje më të goditur. Por një gjë është e sigurt: më shumë se një shekull më vonë, thashethemi se dikush «po e shet Shqipërinë» i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë së Mesme dhe ka mbërritur deri në Vlorë. Madje, këtë herë është zbuluar edhe blerësi: hebrenjtë!

Hebrenjtë, këta «mjeshtra të dredhisë», paskan vendosur të na marrin Vlorën. Me dredhi, natyrisht, se me trimëri nuk na e mori dot as Zheleznovi te filmi Ballë për ballë.

Kali i Trojës qenkësh Muzeu Hebraik Shqiptar, që po ngrihet në Vlorë. Një institucion që synon të dokumentojë historinë e hebrenjve në Shqipëri dhe shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili në fantazinë e patriotëve tanë të alarmuar është shndërruar në instrumentin e një plani për t’ua dorëzuar qytetin hebrenjve. Dhe, meqë një pushtim i tillë nuk mund të mbetej pa emër, u gjet edhe fjala e duhur: «çifutizimi i Vlorës». Demek, vate Vlora… na e morën çifutët.

Çfarë nënkupton kjo? Do të ndryshojë popullsia e qytetit, gjuha, besimi apo historia e tij? Apo vlonjatët, pasi të hapet muzeu, do të zgjohen një mëngjes dhe do të zbulojnë se nuk janë më pasardhës të Ismail Qemalit, por të mbretit David?

Kjo do të ishte për të qeshur, po të mos fshihej pas saj një paragjykim serioz. Fjala «çifutizim» nuk është një term i pafajshëm. Ajo e paraqet praninë hebraike si kërcënim dhe një muze kushtuar historisë sonë si instrument të një pushtimi të supozuar kulturor e identitar.

Por historia e hebrenjve në Vlorë nuk fillon me ndërtimin e këtij muzeu. Qyteti ka qenë një nga qendrat historike të jetës hebraike në Shqipëri. Pas dëbimit të hebrenjve nga Gadishulli Iberik në fund të shekullit XV, aty u vendos një bashkësi e konsiderueshme hebraike. Kujtesa e kësaj pranie ruhet edhe sot në toponimin «Rruga e Hebrenjve».

Pra, muzeu nuk po sjell në Vlorë një histori të huaj. Ai po nxjerr në dritë një histori që i përket qytetit prej shekujsh. Dhe kjo nuk e bën Vlorën më pak shqiptare. Përkundrazi, na ndihmon ta njohim më mirë të kaluarën e saj.

Për të kundërshtuar ngritjen e këtij muzeu është mobilizuar i ashtuquajturi nacionalizëm primitiv. Çuditërisht sot, ndërkohë që projekti që i ka fillesat që në vitin 2020, pra kohë më parë se të fillonte lufta në Gaza.

E thënë në mënyrë të përmbledhur, nacionalizmi primitiv kërkon një histori njëdimensionale, të pastruar nga gjithçka që nuk përputhet me përfytyrimin e tij për kombin. Mirëpo Shqipëria nuk ka qenë kurrë një ishull etnik, kulturor apo fetar. Në qytetet tona kanë jetuar e kanë lënë gjurmë bashkësi të ndryshme, dhe hebrenjtë janë njëra prej tyre. Kur faktet nuk i shërbejnë përfytyrimit nacionalist, aq më keq për faktet.

Në rastin e Muzeut Hebraik të Vlorës, kjo mendësi arrin deri në absurditet. Ne mburremi, me të drejtë, se shqiptarët u hapën dyert hebrenjve të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. E paraqesim këtë si dëshmi të besës, mikpritjes dhe humanizmit tonë. Por nëse ndërtohet një muze që do ta dokumentojë këtë histori, dalin patriotët e shqetësuar se mos po na «çifutizohet» Vlora!

Pra, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë qenkan krenari kombëtare, ndërsa muzeu që do të tregojë historinë e tyre na qenka kërcënim për kombin. Vështirë të gjesh një kundërthënie më të madhe.

Në shumë vende të Evropës janë ngritur muze të Holokaustit për të dokumentuar përndjekjen dhe shfarosjen e hebrenjve. Ne kemi mundësinë të ndërtojmë një muze që, krahas tragjedisë së Holokaustit, dokumenton edhe shpëtimin e njerëzve të kërcënuar prej tij. Natyrisht, kjo histori nuk duhet kthyer në një legjendë të zbukuruar për konsum turistik. Ajo duhet dokumentuar me seriozitet, pa idealizime dhe pa fshehur ndërlikimet e kohës. Pikërisht këtë mund të bëjë një muze i mbështetur në kërkimin historik.

Por përse gjithë kjo armiqësi ndaj një muzeu të tillë? Për mendimin tim, pas saj qëndrojnë kryesisht dy arsye, të cilat nuk kanë të bëjnë me historinë e Vlorës dhe aq më pak me vetë muzeun.

E para është kundërshtimi pothuajse i pakushtëzuar i gjithçkaje që bën Edi Rama. Vështirë të kujtosh ndonjë projekt të rëndësishëm të tij që të mos jetë shoqëruar me akuza e dyshime. Natyrisht, Rama nuk është pa përgjegjësi për këtë klimë. Me kokëfortësinë dhe arrogancën që jo rrallë e karakterizojnë, nuk ua bën aspak të vështirë punën kundërshtarëve. Me të, siç thotë populli, mund të zihesh edhe duke ngrënë petulla.

Për një pjesë të kundërshtarëve të tij, nuk ka më rëndësi se çfarë bëhet, por kush e bën. Mjafton që një projekt të mbajë firmën e Ramës dhe «zullumi» merret i mirëqenë. Se ku qëndron «zullumi», këtë nuk e dimë ende, por do ta gjejmë patjetër. E në mos e gjetshim, do ta shpikim! Këtë herë, meqë bëhet fjalë për një muze hebraik, «zullumi» është as më pak e as më shumë, se Rama qenkësh duke shitur Vlorën te hebrenjtë! Hajde e mos qesh me historinë e Esat Pashës.

Arsyeja e dytë lidhet me qëndrimet ndaj Izraelit dhe konfliktit izraelito-palestinez. Në Shqipëri ekziston një simpati e konsiderueshme për çështjen palestineze, që ndoshta lidhet edhe me politikën e jashtme dhe propagandën e regjimit të Enver Hoxhës. Natyrisht, simpatia e sotme për palestinezët ushqehet edhe nga tragjedia e Gazës dhe shqetësimi i ligjshëm për vuajtjet e popullsisë civile. Por problemi fillon kur zemërimi ndaj politikave të shtetit të sotëm izraelit transferohet te hebrenjtë si bashkësi dhe te historia e tyre në Shqipëri.

Mund të kritikosh qeverinë izraelite dhe veprimet e saj ushtarake pa pasur asnjë paragjykim ndaj hebrenjve. Por kur ndërtimin e një muzeu për historinë hebraike e paraqet si «çifutizim» të një qyteti, nuk po kritikon më një qeveri. Po e trajton vetë identitetin hebraik si kërcënim dhe po hyn në territorin e antisemitizmit. Këtu ndryshon puna.

Kësisoj, armiqësia ndaj Edi Ramës, i cili është bërë gjemb në sy për kundërshtarët e tij politikë dhe personalë dhe zemërimi ndaj Izraelit gjejnë një pikë takimi te Muzeu Hebraik i Vlorës. Për të goditur një kryeministër dhe qeverinë e një shteti të huaj, përfundojmë duke kundërshtuar dokumentimin e një historie që na përket neve, shqiptarëve.

Kjo nuk do të thotë se projekti i muzeut është i pakritikueshëm. Mund të diskutohet për vendndodhjen, arkitekturën, respektimin e trashëgimisë kulturore dhe transparencën e vendimmarrjes. Por tjetër gjë është të kërkosh llogari për mënyrën se si ndërtohet një muze dhe krejt tjetër ta paraqesësh atë si pjesë të një plani për t’ua dorëzuar Vlorën hebrenjve.

Edhe pretendimi se ndërtimi i muzeut po cenon godinën historike të ish-Klubit Patriotik «Labëria» është një tjetër spekulim. Bëhet fjalë për dy objekte të ndryshme: godina e ish-Klubit «Labëria» nuk është ajo ku po ndërtohet muzeu. Të ngatërrosh këto dy godina për të krijuar përshtypjen se po sakrifikohet historia kombëtare në emër të një muzeu hebraik, nuk është mbrojtje e trashëgimisë historike, por shtrembërim i fakteve.

Pikërisht përballë kësaj klime thashethemesh dhe alarmesh të përhershme, përgjegjësia e intelektualëve dhe e njerëzve me ndikim në opinionin publik bëhet edhe më e rëndësishme. Nuk mund të jetojmë përjetësisht nën alarmin se Shqipëria po shitet, se shqiptarët po ikin të gjithë, se vendin po na e marrin herë hebrenjtë, herë rusët e kushdo tjetër që na sjell përpara fantazia e rrjeteve sociale. Kritika ndaj qeverisë është e nevojshme, madje e domosdoshme, por ajo duhet të mbështetet në fakte dhe jo në thashetheme e dyshime të kthyera në të vërteta. Nëse edhe njerëzit që kanë dijen dhe mundësinë për t’i verifikuar këto pretendime përfshihen në këtë vorbull, atëherë kush do t’i vërë fre marrëzisë?

Në fund të fundit, Shqipërinë nuk e shet dot askush duke ndërtuar një muze. Aq më pak mund ta humbasim Vlorën duke treguar historinë e saj. Por mund të humbasim diçka tjetër, shumë më të rëndësishme: aftësinë për ta njohur dhe respektuar historinë tonë pa e gjymtuar sipas paragjykimeve e inateve të ditës. Kjo do të ishte vërtet një humbje që nuk na e shkaktojnë as hebrenjtë e aq më pak Edi Rama, por ia shkaktojmë vetes. Për dreq, nuk do të ishte hera e parë.