Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me protestën, duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Në deklaratë ambasada nënvizon se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune apo dëmtimin e pronës publike dhe private.
“Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.
Përmes kësaj deklarate, ambasada u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
Ambasada thekson kështu rëndësinë e ruajtjes së së drejtës për protestë paqësore, duke vënë në dukje njëkohësisht se dhuna dhe reagimet joproporcionale të policisë nuk duhet të kenë vend gjatë tubimeve.

