Aleks Nikës nuk i thyen këmbën

Aleks Nikës nuk i thyen këmbën

Nga Ardit Rada

Ka diçka thellësisht hipokrite në përpjekjen e Sali Berishës për t’u shfaqur si mbrojtës i protestuesve dhe si predikues i standardeve demokratike përballë dhunës policore. Prej dy ditësh, kreu i PD jo vetëm po përpiqet të kompromentojë protestën në Tiranë, por po përdor si retorikë edhe një ngjarje fatkeqe, që meriton trajtim serioz dhe jo shfrytëzim partiak.

Bëhet fjalë për 19-vjeçarin L.B., i cili pësoi thyerje të këmbës gjatë përplasjes me policinë një natë më parë. Një ngjarje e rëndë, për të cilën pesë efektivë janë pezulluar nga detyra dhe ndodhen nën hetim. Pikërisht kështu duhet të funksionojë shteti ligjor: kur ka dyshime për tejkalim të kompetencave apo ushtrim të paligjshëm të dhunës: Institucionet duhet të veprojnë, përgjegjësit të hetohen dhe drejtësia të thotë fjalën e saj.

Askush nuk duhet ta relativizojë atë që i ka ndodhur të riut në fjalë. As mosha, as rrethanat e protestës dhe as tensionet e krijuara nuk mund të shërbejnë si justifikim për dhunën e paligjshme. Por po aq e papranueshme është që fatkeqësia e një të riu të shndërrohet në kapital politik nga njeriu që ka një nga bilancet më të errëta të përballjes së pushtetit me protestuesit.

Sepse Sali Berisha është politikani i fundit në Shqipëri që mund të japë leksione për dhunën në protesta dhe llogaridhënien përpara drejtësisë.

Më 21 janar 2011, kur Berisha ishte kryeministër, përpara Kryeministrisë nuk u thye vetëm një këmbë. U vranë katër njerëz: Aleks Nika, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. Katër qytetarë që dolën në një protestë dhe nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Katër jetë të ndërprera nga plumbat e Gardës së Republikës, institucion që kishte për detyrë të garantonte sigurinë dhe jo të qëllonte për vdekje mbi protestuesit.

Aleks Nikës nuk ia thyen këmbën. E vranë me plumb.

As Hekuran Dedës, as Faik Myrtajt dhe as Ziver Veizit nuk iu desh të shkonin në spital për të mjekuar një frakturë. Ata humbën jetën. Dhe këtu qëndron dallimi i madh, jo vetëm në pasojat tragjike të dy ngjarjeve, por në mënyrën se si pushteti reagoi përballë kërkesës për drejtësi.

Në vend që të garantonte bashkëpunim të plotë me organin e akuzës, qeveria e Berishës u përfshi në një përplasje të ashpër institucionale me Prokurorinë. Urdhrat e ndalimit për efektivët e Gardës nuk u ekzekutuan, ndërsa Berisha zgjodhi retorikën e sulmit, akuzave dhe fyerjeve ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe Presidentit Bamir Topi.

Në vend të reflektimit politik, shqiptarët panë një kryeministër që sulmonte institucionet e drejtësisë dhe fuste në mbledhje qeverie të dyshuarit për vrasje. Në vend të dorëheqjes, panë një pushtet që mbrohej me çdo çmim. Në vend të përgjegjësisë morale për katër qytetarët e vrarë, dëgjuan akuza për grushte shteti apo vrasje pas shpine me thika të lyera me helmin e nëpërkave të jugut.

Sali Berisha nuk dha dorëheqjen pas 21 Janarit. Nuk mori përsipër përgjegjësinë politike për katër jetët e humbura dhe nuk u tregua i gatshëm ta vendoste transparencën për ngjarjen mbi interesin e mbijetesës së tij në pushtet. Madje vite më vonë e thelloi ‘dashurinë’ e tij për protestuesit paqësorë teksa deklarontë se edhe ai vetë do qëllonte me snajper po t’i duhej.

Sot, pesë policë pezullohen dhe hetohen për rastin e një 19-vjeçari me këmbë të thyer. Në vitin 2011, pas katër vrasjeve, Berisha zgjodhi përplasjen me drejtësinë.

Kjo nuk do të thotë se hetimi i sotëm ka përfunduar apo se përgjegjësitë janë provuar. Do të thotë se reagimi institucional duhet të jetë standardi që kërkohet nga çdo qeveri, pavarësisht ngjyrës politike.

Natyrisht, e drejta për të protestuar është legjitime, e garantuar nga Kushtetuta dhe themelore për një shoqëri demokratike. Studentët, qytetarët, opozitarët apo kushdo tjetër kanë të drejtë të ngrenë zërin, të kundërshtojnë qeverinë dhe të kërkojnë llogari.

Por protesta nuk është licencë për dhunë. Shkulja e kangjellave, hedhja e sendeve të forta dhe përplasjet fizike nuk e bëjnë më të drejtë një kauzë. Përkundrazi, rrezikojnë ta zbehin atë, të largojnë vëmendjen nga kërkesat reale dhe të prodhojnë pasoja që askush nuk i dëshiron.

Po kështu, uniforma e policisë nuk është licencë për të goditur qytetarët. Detyra e saj është të garantojë rendin dhe sigurinë, duke respektuar proporcionalitetin dhe ligjin. Dhuna duhet dënuar pa ekuivok, nga cilado anë që vjen.

Por pikërisht për këtë arsye, Berisha nuk mund të kërkojë përgjegjësi politike për një këmbë të thyer, kur vetë nuk dha dorëheqjen pas katër qytetarëve të vrarë nga Garda e tij. Dhe mbi të gjitha, nuk mund ta përdorë fatkeqësinë e një 19-vjeçari për të larë duart nga biografia e tij politike.

L.B meriton drejtësi. Pesë efektivët e dyshuar meritojnë një hetim të paanshëm dhe një proces të rregullt ligjor. Protestuesit meritojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre pa dhunë dhe pa u përdorur politikisht. Ndërsa familjet e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit meritojnë që përgjegjësit për 21 Janarin të përballen me drejtësinë.

Nëse ka diçka për të cilën Sali Berisha nuk duhet të komentojë sot, ajo është mënyra se si organizohen protestat e të tjerëve. Por të reflektojë dhe të sqarojë demokratët se pse ai vetë ka dështuar tw organizojë protestat e tija.