HomeAktualitetDebat

Takoi “alla shqiptarçe” me respekt dhe dashuri Veliajn në gjyq, flet Robert Ndrenika: Pse reagojnë kështu?! S’i kuptoj! E kam bir për shpirt, ia njoh jetën e do jem sërish nëse ka nevojë

Takoi “alla shqiptarçe” me respekt dhe dashuri Veliajn në gjyq, flet Robert Ndrenika: Pse reagojnë kështu?! S’i kuptoj! E kam bir për shpirt, ia njoh jetën e do jem sërish nëse ka nevojë

Prej ditës së djeshme, një valë sulmesh dhe linçimi u nis në rrjetet sociale ndaj artistëve që mbështetën kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj në gjykatë. Objekt i sulmeve më të ashpra ishte aktori i madh Robert Ndrenika. Për Report Tv, korifeu i skenës shqiptare tha se nuk e kupton të gjithë këtë fushatë urrejtje. Ai e vlerëson Erion Veliajn, ndërsa marrëdhënien me të e cilëson si me një “bir për shpirt”.

“Po pse pra, reagojnë kështu?! Hë, ma thuaj ti! Njeriu i di vetë gjërat e tij. E kam djalë të adoptuar! Ia njoh jetën mirë dhe ma njeh jetën mirë. E kam si djalin tim”, tha aktori Robert Ndrenika

Me qetësinë dhe përulësinë që i jep madhështia e një jete si korife i artit shqiptar, ai e sheh me përbuzje gjithë linçimin, fyerjet dhe fushatën e urrejtjes ndaj tij në rrjetet sociale, vetëm për shkak të një mbështetjeje për kryebashkiakun Veliaj në gjykatë.

I bindur se këtë do ta bënte sërish për Veliajn, të cilin e vlerëson shumë si njeri dhe kryebashkiak, aktori thotë se vendimin e mori aty për aty, siç do të bënte si për anëtarin e familjes.

“Më lajmëruan njerëz të afërt të Erionit se ishte seanca dhe më pyetën nëse doja të shkoja. Shkova pa u menduar dy herë”, tregon Ndrenika.

Ai e shpërfill të gjithë atë urrejtje nga një grup njerëzish, të panjohur apo edhe deri në politikanë, teksa me emocion flet për marrëdhënien personale që ka me Veliajn, duke e cilësuar atë “bir për shpirt”.

“E kam bir për shpirt. E njoh dhe e vlerësoj, ia njoh jetën dhe ma njeh edhe ai timen. Nëse do të ketë sërish nevojë, prapë do të jem aty”, thotë ai.

Për aktorin, lidhjet njerëzore nuk kufizohen vetëm te familja biologjike.

“Njeriu nuk ka të afërm vetëm prindërit, fëmijët apo motrën e vëllanë. Ka edhe njerëz që i zgjedh vetë rrugës dhe i bëhen të afërt”, tha ai.

Jo vetëm si “bir për shpirt”, por kreut të Bashkisë Tiranës ia njeh një meritë shumë të madhe. Njeriu që kaloi dekada në skenë, thotë se me projektin për teatrin e ri në kryeqytet, Erion Veliaj po realizon një ëndërr të madhe, jo vetëm të tij, por të gjithë brezit të artë të artistëve, ku ai bën pjesë.

“Veç të tjerash, Erioni realizoi një ëndërr të madhe timen dhe të shumë artistëve: një teatër të madh, të bukur dhe modern në qendër të Tiranës, që shpejt do të jetë gati”, theksoi Ndrenika.

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj kundër prokurorit Ols Dado, përveç Robert Ndrenikës, në sallë ishin edhe artistë të tjerë të skenës shqiptare, aktorë, këngëtarë, por edhe publicistë e gazetarë. Një shenjë mbështetjeje në përballjen që kryebashkiaku po bën për drejtësi prej muajsh.