Disa arritje që duhet t’ia njohim protestës

Disa arritje që duhet t’ia njohim protestës

Nga Mero Baze

“Arritja” e parë e protestës është krijimi i një klime antisemitizmi. Ambasada e Izraelit njoftoi sot mbylljen pa afat në Tiranë, deri në ndryshimin e situatës, ndërsa gjatë gjithë paradites një nga grupet aktive të protestës postonte lajme të rreme se nga Izraeli po vinin katër avionë në ditë në Shqipëri, për ta bërë Shqipërinë si Gaza. Lajmi për mbylljen e ambasadës u festua në rrjetet sociale nga drejtuesit e protestës si një çlirim i dytë i Shqipërisë.

Këta që ndërkohë, e kanë bërë Tiranën si Gaza, duke shkatërruar çdo gjë, banka, semaforë, biznese private dhe institucione shtetërore, po festojnë ikjen e Izrealit nga Shqipëria.Ska nevojë kemi këta tani!

Nën këtë frymë antisemite, një gjykatë në Vlorë vendos masën e pezullimit të ndërtimit të Muzeut të Hebrenjve dhe protestuesit e festojnë si fitore të tyre.

Tani këtë sukses jepjani kujt të doni. Në daçi jepjani shtabit të protestës, në daçi “studentëve”, në daçi Iranit, por Shqipërisë mos ia lini në kurriz. Shqipëria e ka ende vendin në murin e nderit të atyre që mbrojtën hebrenjtë, kur një valë e tillë antisemite pushtoi Evropën në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, e nxitur nga nazistët.

Fitorja e dytë e protestës është frikësimi i zërave publikë kundër dhunës dhe i bizneseve.

Pashë videon e një blogereje të protestës, e cila, ditën e djeshme, udhëzonte bizneset të vendosnin detyrimisht një letër përpara dyerve të dyqaneve: “Jemi me ju, mos na dëmtoni biznesin.” E thoshte me aq vetësiguri, sikur ishte në të drejtën e saj të urdhëronte djegien e çdo biznesi që nuk pranonte ta vendoste atë tabelë, sa të kujtonte yllin e verdhë të Davidit, një yll me gjashtë cepa që nazistët i detyronin hebrenjtë ta mbanin të qepur në rroba, në një vend të dukshëm. Kjo shenjë përdorej për t’i identifikuar, poshtëruar dhe veçuar hebrenjtë, duke lehtësuar përndjekjen dhe deportimin e tyre.

Nazistët e sotëm në Tiranë i detyrojnë bizneset të vendosin copa letrash në dyqane, ku shkruhet “Jemi me ju”, që të mos ua djegin dyqanin apo biznesin. Të tjerët, siç thoshte ajo vajza, “s’kemi ç’u bëjmë, do t’i djegim”.

Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë plot biznese që janë realisht solidare me protestën, por ato nuk kanë pse të mbrohen me copa letrash. Të dalin publikisht bashkë me protestuesit dhe nuk ua djeg njeri, sepse i njohin. Fakti që bizneset nuk duan as të dalin në protestë dhe as të digjen tregon se ato po poshtërohen publikisht.

Madje, sot pashë një biznes të djegur, një kafene, pronarja e së cilës thoshte: “Jam protestuese vetë, por do ma ketë djegur policia.” Kjo tregon se kanë frikë t’i akuzojnë edhe kur i dhunojnë. Dhe ky është një standard frike që e prodhon vetëm dhuna.

Suksesi i tretë i protestës është se ajo i ka detyruar flamingot “paqësorë” të qershorit të thonë: “Ne jemi bërë të dhunshëm, sepse ju nuk na përfillët kur ishim paqësorë.” Me pak fjalë, duan të thonë se u përpoqën të shtirëshin sikur ishin njerëz paqësorë, por kjo nuk funksionoi dhe tani janë bërë të dhunshëm.

Kjo më kujtoi një bisedë timen naive me Ibrahim Rugovën, në korrik të vitit 1995, kur ai sapo ishte kthyer nga SHBA-ja, nga një takim me Sekretarin e Shtetit, çka ishte një kulm i suksesit diplomatik të rrugës së tij paqësore. Por, ndërkohë, Bujar Bukoshi, kryeministri i tij në mërgim, ishte mërzitur se po e përjashtonin nga Dejtoni dhe kishte lëshuar një deklaratë se “kemi gati 300 mijë veta për luftë në Kosovë”, deklaratë që, çuditërisht, ishte marrë seriozisht nga e gjithë bota.

Pasi mbarova intervistën me të dhe dolëm për një shëtitje buzë detit, te vilat qeveritare në Durrës, unë, me naivitetin e këtyre protestuesve të sotëm, i thashë:

– E di që ai Bukoshi e ka tepruar me atë deklaratë, por mirë është të keni edhe ca ushtarë gati.

Ai ndali pak hapat dhe tha, me një qetësi që më turpëroi:

– Po unë e kam seriozisht rrugën paqësore, nuk e kam me gjasme. Nëse kjo dështon, të tjerë e çojnë përpara, por unë e kam seriozisht këtë rrugë.

Tani, këta flamingot që justifikojnë dhunën se nuk u respektuan kur ishin paqësorë, nuk paskan qenë kurrë paqësorë dhe paskan bërë mirë që nuk janë respektuar. Në fakt, asnjë ditë nuk kanë qenë paqësorë, edhe atëherë kur merrnin fëmijët për dore dhe bënin sikur vizitonin flamingot.

Kanë qenë linçues që ditën e parë, por jo me gurë, po me trakte dhe fletërrufe. Denoncuan aktorë, gazetarë dhe njerëz publikë, duke i linçuar pse nuk ishin me ta. Linçuan biznese, bënë thirrje për vlerësime negative dhe për gjithçka tjetër të dhunshme. Vetëm gurë dhe molotovë nuk morën në qershor. I morën në vjeshtë.

Kështu, protesta thjesht i detyroi të ishin të vërtetë. Ajo që u përpoqën të bënin në qershor ishte një gënjeshtër dhe protesta e kësaj jave ua nxori në pah atë gënjeshtër. Nuk është se ndryshuan qëndrim. Suksesi i protestës është se i detyroi të vendosnin maskat.