Gjykata e Posaçme vendosi të enjten më 22 tetor që procesin gjyqësor penal në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ta kryejë pa mbrojtësit e tyre. Vendimi u mor pasi dështuan të gjitha përpjekjet e gjykatës për t’u siguruar përfaqësues ligjorë të pandehurve, që kanë mbetur pa mbrojtës si pasojë e bojkotit të seancave prej avokatëve.
Pas vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për bojkotimin e gjithë seancave që zhvillohen në GJKKO, si qëndrim për të kundërshtuar rregulloren e re të kësaj gjykate që iu ndalon përdorimin e celularëve në sallë, dy avokatët e zgjedhur prej Metës e Kryemadhit kanë qenë të pranishëm në sallë, por nuk i kanë përfaqësuar të mbrojturit prej tyre, duke argumentuar se respektonin bojkotin. Për këtë arsye, gjykata caktoi një javë më parë për mbrojtjen e të pandehurve, dy avokate nga lista e zyrës së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani bëri me dije të enjten se avokatja Marsela Zeneli, e caktuar nga zyra e Ndihmës Juridike Falas për të mbrojtur Metën, kishte marrë njoftim, por ajo ka parashtruar se nuk mund të marrë pjesë për shkak të bojkotit. Po ashtu, avokatja Anjeza Rusi e caktuar për të mbrojtur Kryemadhin, kishte marrë njoftim, por nuk u paraqit. Sipas gjyqtarit Bani, Rusi ka bërë njoftim se hiqte dorë nga përfaqësimi, pasi çështja një fjalë nuk kualifikohet tek rastet që ndiqen nga zyra e Ndihmës Juridike Falas.
Në faqen online të kësaj drejtorie shënohet se nga ky shërbim përfitojnë të gjithë ata shtetas të cilët janë në kushtet e pamundësisë ekonomike, apo që bëjnë pjesë si persona të kategorive të veçanta dhe kanë nevojë për një shërbim ligjor. Sipas legjislacionit, këto kategori janë viktima e dhunës në familje, viktimat e trafikut, të miturit që janë viktima të abuzimeve dhe ata që jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore.
Në seancë nuk ishin të pranishëm as tre prokurorët e çështjes, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. SPAK u përfaqësua nga prokurori Vladimir Mara, i cili vërejti se në kushtet e mungesës së avokatëve të të pandehurve seanca nuk mund të zhvillohej e duhej të shtyhej. Po ashtu, ai kërkoi që të pezullohen afatet e paraburgimit për Metën.
Meta ritheksoi qëndrimin e tij nse është i gatshëm të vijojë gjykimin pa avokat, duke u mbrojtur vetë. Ai e cilësoi situatën e krijuar si një lojë për zvarritje. Po ashtu, bëri me dije se ishte në mabjentet e gjykatës me kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të cilin e kishte pyetur nëse do të kishte zgjidhje. Sipas Metës, avokatiMaksim Haxhia i kishte treguar se të enjten do të kishte një takim pranë Këshillit të Larë Gjyqësor për trajtimin e situatës së krijuar. Meta e cilësoi të padrejtë kërkesën për pesullimin e afateve të paraburgimit, duke theksuar se në këtë seancë mungonte prokuroria.
Edhe Kryemadhi konstatoi se prokurori që përfaqësoi SPAK në këtë seancë nuk e njeh çështjen dhe do të kishte pasur shtyrje, edhe nëse do të ishin të pranishëm avokatët.
Gjykata pasi u tërhoq në dhomë këshllimi, vlerësoi se mungesat e të katër avokatëve nuk janë të përligjura. Për këtë arsye u caktua gjobë në masën nga 20 mijë lekë për avokatët e zgjedhur dhe nga 5 mijë lekë për ato të zyrës së Ndihmës Juridike Falas.
GJyqtari Erion Bani deklaroi se gjykata i ka shteruar gjithë instrumentet ligjorë për të siguruar mbrojtje për të pandehurit dhe se bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të vijohet gjykimi pa avokatë. Ai evidentoi dhe faktin se edhe të pandehurit e kanë kërkuar një gjë të ttilë.
Seanca e radhës u shty për më datë 29 tetor, në orën 11:00.
SPAK e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA dhe të dy të pandehurit për kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, ndikimet për llogari të biznesmenit Samir Mane e të Adrian Shatkut në këmbim të favoreve, pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-bllok e mosdeklarimin e shpenzimeve – akuza që janë kundërshtuar nga të pandehurit si të pabazuara e të inskenuara nga kundërshtarët politikë.

