Një zë i fortë për avokatinë shqiptare
Kush është Av. Xharije Nela Kandidate për Sekretare të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë.
Av. Xharije Nela kandidon për postin e Sekretares së Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, me vizionin për një avokati më të organizuar, më bashkëpunuese dhe më pranë nevojave reale të avokatëve.
Prej më shumë se një dekade, ajo ushtron profesionin në mënyrë aktive si avokate, duke ndërtuar një eksperiencë të konsoliduar në çështje civile, penale, administrative dhe tregtare, si dhe duke u angazhuar në fushën e ndërmjetësimit dhe zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve.
Formimi i saj akademik përfshin studimet në fushën e drejtësisë në Tiranë, Master Shkencor në të Drejtë Civile, Master Profesional në “EU Business Law”, si dhe Master të Nivelit të Tretë në Kriminologji. Aktualisht ndjek studimet doktorale pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Gjatë karrierës profesionale, Av. Nela ka qenë e angazhuar në projekte dhe iniciativa në fushën e drejtësisë, të drejtave të njeriut, drejtësisë restauruese dhe forcimit të standardeve profesionale, duke bashkëpunuar me organizata dhe institucione vendase e ndërkombëtare.
Kandidatura e saj mbështetet në bindjen se Dhoma Vendore e Avokatisë duhet të jetë një institucion funksional, transparent dhe në shërbim të avokatëve, duke garantuar organizim më të mirë, komunikim më efektiv dhe përfaqësim dinjitoz profesional.
Në këtë kandidim, Av. Nela sjell eksperiencën profesionale, seriozitetin institucional dhe gatishmërinë për të kontribuar me përgjegjësi në funksion të komunitetit të avokatëve të Tiranës.


