Policia e Tiranës ka arrestuar një 51-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në magazinën që administronte në rrugën “Çamëria”, iu gjetën 1853 fishekzjarre pa licencë dhe dokumentacion përkatës.
Dylber Koni dyshohet se u ka shitur këto lëndë piroteknike personave të maskuar gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Evidentohet një tjetër ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, me qëllim shitjen pjesëmarrësve në tubime, për kryerje të veprimeve të dhushme.
Sekuestrohen mallrat.
Në kuadër të fazës së tretë të operacionit të koduar “Fireworks 3”, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 51 vjeç.
Gjatë kontrollit në magazinën që ky shtetas administronte në rrugën “Çamëria”, u gjetën 1853 fishekzjarre. 51-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumente shoqëruese për blerjen e tyre.
Nga informacionet e siguruara dyshohet se shtetasi i arrestuar iu ka shitur lëndë piroteknike shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme, gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Po dje dje Në pranga ka rënë D. B., në banesën e të cilit, në rrugën “Zela”, policia gjeti 47 pako me fishekzjarre, të cilat u sekuestruan.
Sipas policisë, 32-vjeçari i shiste fishekzjarret pa pasur licencë dhe pa dokumentacion që vërtetonte blerjen e tyre.
Arrestimi u bë gjatë operacionit “Fireworks 2”, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në furnizimin me lëndë piroteknike të pjesëmarrësve në tubime.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

