Strukturat antikrim zgjohen! “AntiTerrori” hyn në ‘fushë: Nxitjet për dhunë në protestë! Nën hetim Gent Progni, linçoi policët! Protestuesi “gazetar” mashtron se i rrezikohej jeta në “GoFundMe”

Strukturat antikrim zgjohen! “AntiTerrori” hyn në ‘fushë: Nxitjet për dhunë në protestë! Nën hetim Gent Progni, linçoi policët! Protestuesi “gazetar” mashtron se i rrezikohej jeta në “GoFundMe”

Gent Progni, personazhi që tentoi të merrte vëmendje në protestën “Flamingo”, po hetohet për publikimet që ia ka bërë në rrjetet sociale me fotografi dhe identitete të punonjësve të Policisë së Shtetit me komente fyese, denigruese dhe akuzuese duke i ekspozuar ata përpara protestuesve.

Këto publikime – thotë policia – krijojnë rrezik për jetën e efektivëve, për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe nxitin veprime intimidimi, kërcënimi dhe dhune.

37 vjeçari akuzohet për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”.

Në hetim është vënë edhe Arjan Koçi, njw shqiptar që thotë se jeton në Londër, dhe që ka ardhur në Shqipëri që prej protestave Flamingo.

Sipas policisë ai ka bërë thirrje publike për veprime të dhunshme gjatë protestës, dhe ka hapur një llogari në “GoFundMe”, për të mbledhur fonde duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta.

Gjatë kontrollit – thekson policia – atij iu gjet një bexh me të cilin prezantohej si gazetar, për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia.

Elton Xhura 33 vjeç me banim në Tiranë u arrestua pasi dyshohet se ka dërguar mesazhe kërcënuese në llogarinë e Facebookut të një subjekti privat, se do t’i vendoste bomba në 3 godina të ndryshme. Bizneset ishin pre e shkatërrimeve masive nga protestuesit e maskuar gjatë tubimeve në Tiranë

Eduard Ndocaj, ish-deputet i njohur si “kaubojsi”, po hetohet për dy vepra penale, “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”, pasi siç njofton policia – ka postuar video në rrjete sociale ku ka ofruar shuma parash për dhunë ndaj deputetëve dhe ministrave

Një protestues 20-vjeçar, banues në Tiranë ka vendosur një banderolë që përmbante simbol nazist në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik.

Në hetime është përfshirë Anti-Terrori, Krimi Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Për disa llogari anonime, po kërkohet të identifikohen administratorët e tyre.

Njoftimi i plotë i Policisë

U referuan materialet në prokurori për shtetasit:

-A. K., 34 vjeç, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në Instagram, ka bërë thirrje për kryerjen e veprime të dhunshme, gjatë protestave të javëve të fundit.
Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta, ka hapur një llogari në “GoFundMe”, për të mbledhur fonde.
Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një dokument (bexh) me të cilin prezantohej si gazetar, për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia. Dokumenti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;

-E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”, pasi ka postuar video në rrjete sociale, nëpërmjet të cilave ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprime të dhunshme ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave;

-G. P., 37 vjeç, për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”, pasi ka publikuar në mënyrë të përsëritur, të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, me komente fyese, denigruese dhe akuzuese. Këto publikime, të realizuara kryesisht në kontekstin e protestave të javëve të fundit dhe që ekspozojnë përpara protestuesve, identitetin e punonjësve të Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, krijojnë rrezik për jetën e punonjësve të Policisë, për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe nxitin veprime intimidimi, kërcënimi dhe/ose dhune.

Gjithashtu, në llogarinë që administron 37-vjeçari janë evidentuar postime me paralajmërime me karakter kërcënues ndaj institucioneve shtetërore, si dhe thirrje për identifikimin e shtetasve të tjerë, të cilat kanë rritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë shpërndarja e këtyre informacioneve në rrjete sociale;

-A. G., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjeve dhe e grindjeve”, pasi ka postuar fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave ka bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-A. A., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogarinë e tij në Facebook, ka postuar një shkrim me përmbajtje antikushtetuese;

-O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”, pasi gjatë një proteste, ka vendosur në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik, një banderolë që përmbante simbol nazist;

-A. L., 39 vjeç, R. R., 28 vjeç, L. Xh., 24 vjeç, E. B., 36 vjeç, O. Rr., 46 vjeç, D. A., 39 vjeçe, E. Q., 22 vjeç, D. K., 26 vjeçe, A. B., 42 vjeç, M. Ç., 18 vjeç dhe A. Ll., 24 vjeçe, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogari të tyre në platforma të ndryshme për komunikim online, nëpërmjet shkrimeve, mesazheve dhe/ose komenteve, kanë bërë thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori, për 7 llogari në platforma të ndryshme për komunikim online, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në to, janë publikuar shkrime, mesazhe dhe/ose komente me thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-u referuan materialet në Prokurori, për 1 llogari në rrjetin social “Instagram”, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”, pasi në të, janë postuar thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të administratorëve të këtyre llogarive dhe shtetasve të tjerë të lidhur me to.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.