Si rrallëherë, Sali Berisha artikuloi me zërin e tij sloganin që protestuesit brohorasin prej qershorit, kur nisi i ashtuquajturi “revolucioni flamingo”, e tashmë prej 13 tetorit, kur tubimi u shtri në formën e një lëvizjeje studentore.
Dy protestave që e kanë lënë opozitën jashtë sheshit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon t’u marrë autorësinë. Flamingot fillimisht i mbështet, e më tej i sulmon, se rrugës u bashkuan me Ramën.
“Ajo protestë, për fat të keq, u tradhtua nga besëprerë. Një ndër këta ishte opozita e opozitës, që mendoi se do bëhej opozitë e madhe. Slogani i ekstremistëve të majtë dhe sorosianëve: ‘Rama në burg, Berisha në burg’, ose ‘Opozitë e shitur’. Kishin si qëllim bllokimin e popullit opozitar për të marrë pjesë në protestë”,t ha Berisha në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale.
Protesta e tetorit që pasoi flamingot, nga kreativiteti me pankarta në akte të dhunshme, Sali Berisha thotë se nisi nga një bojkot i sindikatave të universitetit, ku pedagogë janë edhe vajza e dhëndri i tij, Argita e Jamarbër Malltezi, dhe se PD-ja ishte e para që i nxori të rinjtë e saj nga auditorët.
“Strukturat tona të forumit në universitete e gjimnaze qenë të parat që iu përgjigjën kësaj thirrjeje, por jo vetëm”, tha Berisha.
“Më 13, pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve ishin studentë, gjimnazistë apo anëtarë të degëve të PD-së për Tiranën”, vijoi më tej.
“Më falni. Të pranishëm më 13 kishte dhe plot të tjerë”, u shpreh kreu i PD.
“Pas dhunës, u thirr nga strukturat protestë më 14. Kanë qenë aktivë me organizime bojkotesh, sikundër degët e PD-së”, vijoi më tej.
Në këtë tentativë për të marrë trofeun e mbushjes së sheshit me militantë demokratë, Sali Berisha e mori surprizën e radhës nga protesta të shtunën, ditë kur studentët dhe PD-ja, nga ana tjetër, njoftuan tubim kombëtar në të njëjtën orë.
Nga aty, Berisha doli me dy dështime. Së pari, vetëm pak militantë iu përgjigjën thirrjes së tij për të dalë para Kryeministrisë, ku vetë, si kryetar i partisë për herë të dytë, nuk doli në bulevard. Së dyti, studentët ia zhbënë tentativën simpatizantëve të tij për t’u bërë njësh me tubimin e tyre te Ministria e Arsimit.
Por pavarësisht kësaj, Berisha thotë se PD-ja nuk do të tërhiqet nga protestat, pavarësisht refuzimit të studentëve për t’u bashkuar me militantët e tij, duke e cilësuar Partinë Demokratike si “nënën e protestave” në Shqipëri.
“Incidentet e njërës anë nuk janë përfaqësues të protestës, janë përfaqësues të zjarrfikësve të protestës. I kam këtu emër për emër, por nuk ia vlen t’ju tregoj se çfarë përfaqësojnë ata. Dhe janë gjithsej 4-5 mashtrues ordinerë. Njëri thoshte: ‘Bravo, kryeministër!’, tjetra thoshte: ‘Rama është më i mirë se Berisha’, çka tregonte se kishte dalë për të mbrojtur Ramën në protestë. Ndërsa ekstremistët e majtë, që parakalonin si falanga në rrugët e Tiranës me grushtin përpjetë, duke besuar se mund t’u rikthejnë shqiptarëve kohërat më të zeza, ata marrin dhe do të marrin përgjigjen e merituar. PD fton dhe do të ftojë në bashkëpunim çdo forcë politike, shoqatë, e cila është për largimin e Ramës.
Por PD-në, nënën e protestave në Shqipëri, partinë që mbiemër të dytë do të kishte “protestë”, nuk ka horr, nuk ka bandit, nuk ka kriminel që mund ta pengojë atë në protestën kundër narkodiktatorit Edi Rama. PD nuk ka deklaruar kurrë se ajo e udhëheq protestën e studentëve dhe as se është organizatore. PD është në këtë protestë që minutën e parë, me strukturat e saj në universitete dhe gjimnaze, dhe ajo del në respekt të plotë të pluralitetit të studentëve. Dy-tre provokatorë të ulët, që i kemi me emër e mbiemër, të paguar, të turpshëm, apo një grup i vogël ekstremistësh të majtë, nuk mund t’i diktojnë PD-së asnjë lloj ndryshimi të qëndrimit të saj ndaj protestave”, tha Berisha.

