5 me 3 në favor të Erjon Veliajt. Gjykatës së Lartë, i duhet të shqyrtojë nga e para kërkesën për liri të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ky verdikt është i pari që vjen në frymën e një tjetër vendimi të drejtësisë, atë të Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë, për rishikimin e praktikës së arrestit me burg, edhe pse në vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese nuk e përmend drejtpërdrejtë si argument.
Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.
Në vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se “në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e lirisë personale në drejtim të proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur, të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi”
Kështu, Gjykata e lartë, do duhet të arsyetojë pse nuk prevalon e drejta për tu zgjedhur dhe ushtrimi i detyrës si kryebashkiak, përballë masës ekstreme të sigurisë?
Me rikthimin e çështjes Veliaj në duart e tyre, togat e zeza duhet të arsyetojnë pse është e nevojshme arresti me burg. Dhe sipas vendimit unifikues, të vetë Gjykatës së Lartë marrë më 4 maj për praktikën e arrestit, treshja gjykuese duhet të arsyetojë shprehimisht përse masat e sigurisë alternative më pak kufizuese të lirisë personale, nuk janë të mjaftueshme, në rastin konkret ndaj kryebashkiakut.
Gjykata Kushtetuese gjen të paarsyetuar nga Gjykata e Lartë, edhe rrëzimin e kërkesës së Veliajt për të qëndruar jashtë kafazit të xhamtë gjatë seanca gjyqësore, për çështjen ku ai është i pandehur në Gjykatën e Posaçme.
Në këtë pikë Kushtetuesja pranoi kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës në rekurs, për “cenimin e dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë lidhur me qëndrimin në kafaz”.
“Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi”, thuhet në vendim.
Në vendimin e marrë këtë të hënë, 5 ditë pasi e shqyrtoi rekursin mbi bazë dokumentesh, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi një pjesë të kërkesave të Veliajt.
Me shumicë votash, u rrëzua pretendimi për cenimin e së “drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes”.
Trupa gjykuese me 8 anëtarë, nuk arriti dot shumicën, duke e konsideruar kështu të rrëzuar, pretendimin e Veliajt për cenimin e “parimit reformatio in peius (mos rëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Gjykata rrëzoi edhe pretendimet për cenimin e “lirisë personale në drejtim të dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave”.
Paralelisht, Veliaj është në pritje dhe të një vendimi tjetër, më 28 maj, nga Gjykata e Lartë, ku ai ka kërkuar po ashtu ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Në datën 25.05.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me vendimin nr. 14, datë 12.02.2025 të po asaj gjykate, nr. 13, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në ankimin kushtetues individual, e shqyrtoi çështjen në themel vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.
Ne aspektin procedural, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Se drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes dhe të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
ii) Parimit reformatio in peius (mosrëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata nuk arriti numin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.
Në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë të lidhur me qëndrimin e kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi.
ii) Lirisë personle në drejtim të:
2.1. Dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
2.2. Proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

