Muli i tronditur nga zgjedhjet në SHBA!

Muli i tronditur nga zgjedhjet në SHBA!

Rezultati i zgjedhjeve në SHBA e tronditi rëndë sot Mulin. Edhe pse ai nuk kupton shumë nga zgjedhjet në SHBA, e kuptoi se situata ishte e rëndë, pasi Fatmir Mediu nuk kishte postuar asnjë fotografi me kongresmenët që kishin fituar.

Ai Senatori i Teksasit, që kishte dalë në fotografi edhe me Doktorin, edhe me Mediun, kishte humbur. Të tjerët me të cilët kishte dalë në fotografi Mediu kohët e fundit, po ashtu, kishin humbur.

-Është gjëmë, – i tha Lelos. -E paskemi këmbën ters edhe në SHBA. Sa u gëzuam për fitoren e republikanëve, shkoi ky Mediu, doli në fotografi dhe humbën të gjithë.

-Nuk kanë humbur prej Mediut, – tha Lelo. – Prej atij kemi humbur ne. Puna është që duhet ta përdorim pozitivisht këtë humbje.

-Po si ta përdorim? – tha Muli.

– Po ja, të themi që populli amerikan nuk ia fali Trumpit faktin që i mori gjashtë milionë euro Doktorit dhe nuk ia hoqi shpalljen “non grata”. Amerikanët janë popull i ndershëm dhe për fjalën e dhënë e të pambajtur të ndëshkojnë.

– Po a di gjë Trumpi që kemi paguar gjashtë milionë? – tha Muli.

-Besoj se e di, se ka folur Belo disa herë, – i tha Lelo. -Madje edhe e ka siguruar se do t’ia heqë. Por tani as për atë nuk flitet, se është ditë e keqe.

-Këtë e kemi të vështirë ta përdorim, – tha Muli. – Po ndonjë gjë tjetër, çfarë mund të përdorim pozitivisht?

-Mund të përdorim faktin që Trumpi vërtet ka humbur, por askush nuk ia kërkon dorëheqjen. Jo si këtu, që ia kërkojnë Doktorit menjëherë dhe pastaj i thonë: “Pse nuk ikën?” Ja, pse nuk ikën Trumpi?

– Kjo po, – tha Muli. – Kjo na bën punë. Ndonjë gjë tjetër, çfarë mund të themi?

-Mund të themi se senatori i Teksasit që humbi i ka lënë amanet këtij senatorit të ri demokrat: “Bëj ç’të duash me Teksasin dhe punët e brendshme këtu, por dil një fotografi me Mediun, se i duhet për gjyqin në Shqipëri.” Dhe ai i ka dhënë fjalën se do të dalë.

-Këtë mund ta thotë vetëm Tritani, se atij nuk ia marrin për ters budallallëqet, – tha Muli. – Se ka edhe moshën.