HomeAktualitetKryesore

Rasti Veliaj dhe tallja publike nga anëtarët e Gjykatës së Lartë: Përdorin si letër higjenike vendimin e Kolegjeve të Bashkuara për masat e paraburgimit

Rasti Veliaj dhe tallja publike nga anëtarët e Gjykatës së Lartë: Përdorin si letër higjenike vendimin e Kolegjeve të Bashkuara për masat e paraburgimit

Gjykata e Lartë vendosi më 4 Maj, unanimisht, që të rishikohet praktika e arrestit me burg: Të jetë i arsyetuar dhe gjykatat të japin prova… pse duhet paraburgimi dhe jo masë tjetër alternative?!

Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara, i cili ka peshën e një ligji për sistemin gjyqësor, do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Interpretimi i ri për mënyrën e aplikimit të arrestit me burg, nuk përfshin vetëm ata që do të ndiqen penalisht në të ardhmen, por dhe këdo që ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit, e që do të kërkojë, rishikimin e masës së sigurisë.

Në Shqipëri, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë përbëjnë një mjet të rëndësishëm për harmonizimin e praktikës gjyqësore në nivel kombëtar. Këto vendime janë të detyrueshme për gjykatat më të ulëta dhe synojnë të shmangin kontradiktat mes vendimeve të ndryshme gjyqësore.

Funksioni i tyre kryesor, është krijimi i një jurisprudence të unifikuar, që siguron barazinë e qytetarëve para ligjit dhe një interpretim të qëndrueshëm të dispozitave ligjore, deklaronte me pompozitet Gjykata e Lartë, por që pa u tharë boja e kësaj axhende shpresëdhenëse për shumë njerëz, që merren si mall magazine nga sharlatanët dhe delenxhinjtë e gjykatave dhe prokurorive, vjen si rrufeja në qiell të hapur vendimi absurd dhe skandaloz ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës në detyrë, Erion Veliaj, i cili mbeti në burg, edhe pse i marrë peng nga një “noter-prokuror” i paligjshëm, që nëpërmjet disa kallëzimeve anonime të sajuara nga një grup intrigantësh, Nesti e Nasta, mbeti në burg, edhe pse i kthyer në detyrë, nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, pavarësisht synimeve të saj, zbatimi i vendimeve unifikuese në Shqipëri, shpesh hasin sfida të lidhura me cilësinë e argumentimit ligjor, ndikimin politik në sistemin gjyqësor dhe mungesën e pavarësisë së plotë të gjyqtarëve. Shpeshherë, kjo ka çuar në situata ku praktika gjyqësore mbetet ende e fragmentuar, duke dobësuar efektin e detyrueshmërisë së vendimeve unifikuese.

Kurse sot, në rastin Veliaj, u ringjall një grup gjyqtarësh të përbërë nga Albana Boksi juriste e Institutit Pedagogjik Shkodër, Sokol Binaj dhe Gent Shala, të cilët as që pyetën për një vendim të marrë vetë bashkë me kolegët, por nxituan të rikthehen në noter të strukturave skandaloze të GJKKO dhe SPAK, duke shkelur me guximin e paparishikuar vendimin, i cili tashmë është ligj,që pas miratimit dhe duhen një barrë me arsyetime dhe prova juridike, se përse duhet paraburgimi dhe jo masë tjetër alternative, për rastin në fjalë.

Kjo trup gjyqtarësh të pafytyrë, u tall dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është i detyrueshëm të zbatohet dhe nuk ka asnjë mundësi të interpretohet nga asnjë gjykatë tjetër shqiptare, vendimi i së cilës e ka kthyer Veliaj në detyrë dhe natyrisht, që ai nuk mund ta kryej detyrën, pas hekurave.

Kjo, edhe një herë tregon, se drejtësia është mbushur me korba dhe korbat nuk ia nxjerrin sytë njëri tjetrit. Ndryshimi i vendimit do penalizonte dy shkallët e GJKKO-së dhe natyrisht, këta shërbëtorë pervers, mund të shkelin mbi ligjet vetëm për të shmangur ndonjë pasojë, që mund tu vijë gogolëve të përkohshëm e jetëshkurtër të SPAK.

Natyrisht, që Gjykata e Lartë nuk ka mbaruar punë, sepse një trup tjetër do të mblidhet për të dhënë përgjigje Gjykatës Kushtetuese dhe do jetë shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur, që të bindin tetë gjyqtarë, se ato kanë të drejtë ta “refuzojnë” vendimin e Kushtetueses, për të mos e lejuar Veliajn si kryebashkiak i zgjedhur të drejtoi Tiranën, por jo nga burgu, por prej atje ku i takon. /Ekskluzive.al